Protestat për George Floydin nxitën ndryshime në sektorët publikë e privatë

Amerika

Protestat për George Floydin nxitën ndryshime në sektorët publikë e privatë

Më: 23 maj 2021 Në ora: 20:29
George Floyd

Vrasja e George Floydit një vit më parë në duar e policisë u bë shkak për pro esta masive në vend. Reagimi u shtri edhe në zyrat e koorporatave. Në shenjë solidariteti, disa nga kompanitë më të mëdha në vend dhuruan miliona dollarë në fonde për të mbështetur kauzat për drejtësi racore.

Justin Hansford jep mësim mbi çështje të ligjit në Universitetin Howard në Uashington, ku ai drejton gjithashtu Qendrën për të Drejtat Civile Thurgood Marshall.

"Pashë që kishte një nxitim për kontribute financiare që vinin nga korporatat amerikane, e që shkonin tek (HBCU) kolegjet dhe universitetet historikisht me studentë afro-amerikanë, tek organizatat për drejtësi sociale, lëvizja Black Lives Matter. Ata kanë mbledhur dhjetëra miliona dollarë, shumë më shumë sesa kanë mbledhur në shtatë vitet e fundit”, thotë Justin Hansford i Universitetit Howard.

Në fushën e sportit, komisioneri i futbollit profesionist amerikan u kërkoi falje lojtarëve që nuk i kishte dëgjuar më parë shqetësimet e tyre në lidhje me racizmin.

Ai foli për një fond prej 250 milionë dollarësh për të trajtuar këtë çështje gjatë dekadës së ardhshme.

Kompania e shitjeve me pakicë Walmart, u zotua të dhurojë 100 milionë dollarë për pesë vjet për të luftuar racizmin sistemik.

Kompania e pijeve freskuese Pepsi, hoqi nga qarkullimi një produkt 132 vjeçar të saj, logoja e së cilit kishte imazhin e një gruaje afro-amerikane. Kompania tha se origjina e personazhit në logo "bazohej tek një stereotip racor" duke u angazhuar gjithashtu në një iniciativë pesë-vjeçare prej 400 milionë dollarësh "në mbështetje të komunitetit afro-amerikan".

Por pavarësisht veprimeve të tilla, Amerika ka ende nevoje të shërohet, thotë Robert Sanders i Kolegjit Henry C. Lee për Drejtësi Penale e Shkenca Ligjore, në Universitetin New Haven.

"Një nga gjërat që është e vështirë për komunitetin afro-amerikan dhe për të cilën ata ndihen keq është se nuk ka pasur kohë për t'u shëruar. Pra nga një ngjarje e tmerrshme ndërsa filloni fazën e pikëllimit, shërimit, të të gjitha këtyre gjërave, duket të shkojmë drejt një tjetre”, thotë ai.

Sipas zotit Hansford dënimi i ish-oficerit të policisë së Mineapolisit Derek Chauvin muajin e kaluar ishte një moment vendimtar.

“Breza të tërë nuk kanë kaluar dhe pa pritur kurrë që një oficer policie të dënohet për vrasjen e një afro-amerikani. Po mendoja proceset gjyqësore lidhur me atë që ndodhi me Rodney King dhe Trayvon Martin. Prisja të njëjtin rezultat (shpalljen të pafajshëm). Rezultati i ndryshëm (këtë herë) kishte të bënte më shumë me faktin se protestat ndërgjegjësuan jurinë deri në atë pikë ku ata dinin me shumë rreth realitetit nëse një oficer policie ka apo jo njëqind për qind të drejtë, në njëqind për qind të rasteve", thotë Justin Hansford, i Universitetit Howard.

Zoti Sanders thotë se duhet të ketë një gjykim të përgjegjësisë për oficerët e tjerë të policisë që ishin të pranishëm kur vdiq zoti Floyd.

"Ekzistojnë tre persona të tjerë tek të cilët mund t'i shohim në një farë mënyre veprimet e tyre të paligjshme si dhe më të tmerrshme ndërsa ndihmonin dhe mbështesnin vrasjen që ata po shihni me sytë e tyre ndërsa bashkëqytetarët u luteshin që të vepronim për ta ndalur", thotë Robert Sanders, Universiteti New Haven.

Ndërkohë këta punonjës policie janë në pritje të gjyqit ndaj tyre. Ndërkohë kohët e fundit Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland nisi hetime të gjera të departamenteve të policisë në dy qytete amerikane, përfshirë edhe atë ku vdiq zoti Floyd.

"Ata po shikojnë atë që po ndodh në vendin dhe në policinë tonë, dhe shpresoj që të fillojë një hetim civil ndaj policisë së Mineapolisit dhe një hetim civil ndaj policisë në Louisville, ku u vra Breanna Taylor. Është një fillim, jo zgjidhje, por të paktën një fillim drejt rrugës së gjetjes së një zgjidhjeje në sistemin e drejtësisë”, thotë Robert Sanders, Universiteti New Haven.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve miratuan Aktin e Drejtësisë në në Fushën e Zbatimit të Ligjit të cilit i vunë emrin e George Floydit. Projektligji synon të kufizojë imunitetin që gëzojne oficerët e policisë ndaj padive civile si dhe krijimin e një regjistri kombëtar të shkeljeve të kryera nga ana policisë. Por ligji përballet me pengesa në Senat, ku republikani Tim Scott ka prezantuar një variant ligjor të tij mbi reformën në polici dhe po negocion me demokratët në këtë dhomë të Kongresit të ndarë në mënyrë të barabartë mes palëve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat