Republikanët dënojnë komentet e Marjoie Taylor Greene mbi Holokaustin

Amerika

Republikanët dënojnë komentet e Marjoie Taylor Greene mbi Holokaustin

Më: 25 maj 2021 Në ora: 23:26
Marjoie Taylor Greene

Udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy kritikoi të martën ligjvënësen republikane Marjorie Taylor Greene për krahasimin që u bëri maskave që mbahen për shkak të pandemisë, me distiktivat që nazistët i detyronin hebrenjtë të mbanin, gjatë Holokaustit. Por zoti McCarthy nuk foli mbi ndonjë masë disiplinore ndaj saj.

"Marjorie Taylor Greene e ka gabim dhe vendimi i saj i qëllimshëm për të krahasuar tmerret e Holokaustit me mbajtjen e maskave është i tmerrshëm. Holokausti është mizoria më e madhe e kryer në histori. Fakti që duhet ta ritheksojmë këtë gjë sot është thellësisht shqetësues", tha në një deklaratë udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve Kevin McCarthy.

"Dua të jem i qartë, republikanët e kësaj Dhome e dënojnë këtë gjuhë", shtoi ai më tej.

Deklarata e tij pason disa komente të postuara të martën në mëngjes në Twitter nga zonja Taylor Greene, e cila ka nxitur tashmë një reagim të ashpër nga grupet hebraike për krahasimin që i ka bërë vendimit të Dhomës së Përfaqësueve të kontrolluar nga demokratët që ligjvënësit të mbajnë maska në sallën e seancave, me distinktivët e verdhë që gjermania naziste u kërkonte hebrenjve që t’i mbanin me detyrim.

Në Shtetet e Bashkuara anëtarët e komunitetit hebre në Nju Jork, Los Anxhelos dhe në jug të Floridës kanë përjetuar një mori sulmesh fizike dhe verbale mes përshkallëzimit në fillim të këtij muaji të konfliktit në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit.

Kjo shënon përplasjen më të fundit në mesin e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, ku zoti McCarthy dhe udhëheqësit e tjerë të partisë po përpiqen të krijojnë unitet pas shkarkimit të Liz Cheney nga roli i saj si numri tre i republikanëve të kësaj dhome. Ky vendim erdhi pasi zonja Cheney kishte denoncuar pretendimet e pafaktuara të ish-Presidentit Trump për manipulim të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Komentet e zonjës Taylor Greene u kritikuan gjithashtu edhe nga udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat Chuck Schumer. Ai i cilësoi ato komente të dënueshme dhe i bëri thirrje zonjës Taylor Greene, të ndalë këtë gjuhë të ulët menjëherë, siç tha ai. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat