Ballafaqimet në Kongres ngrejnë shqetësime për normat e mirësjelljes

Amerika

Ballafaqimet në Kongres ngrejnë shqetësime për normat e mirësjelljes

Më: 26 maj 2021 Në ora: 18:21
Kongres

Një përplasje e fundit mes dy anëtareve të Kongresit është bërë shembull i mungesës së tolerancës dhe respektit të ndërsjelltë për pikëpamjet politike në Amerikë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Redisch shpjegon se skena të tilla konfliktuale shpesh u shërbejnë partive për të rritur mobilizimin e bazës:

Mosmarrëveshjet mes dy partive më të mëdha në Amerikë u shtuan ndjeshëm pas sulmit të 6 janarit në Kapitol. Shembull i kësaj prirjeje janë bërë përplasjet mes dy anëtareve të Kongresit nga skajet e spektrit politik: republikania Marjorie Taylor Greene, e zgjedhur në 2020 nga shteti i Xhorxhias dhe demokratja Alexandria Ocasio-Cortez e zgjedhur për herë të parë në 2018 nga Nju Jorku.

Duke dalë nga salla e Dhomës së Përfaqësuesve më 12 maj, ligjvënësja Greene iu drejtua koleges demokrate Ocasio-Cortez, duke i kërkuar të mbrojë me fakte bindjet e saj që zonja Green i cilësoi “radikale socialiste”.

Demokratja Ocasio-Cortez nuk u ndal të përgjigjej, por, sipas Washington Postit, bëri një gjest që shprehte irritim.

"Më duket se ka postuar ca video… duket që kjo grua ka probleme të mëdha. Është e qartë që ka nevojë për ndihmë,” tha demokratja Ocasio-Cortez.

“Nëse do të flasim për sulme e kritika, apo për sjellje agresive, duhet të intervistoni demokratët dhe ligjvënësen Ocasio-Cortez që ajo të ofrojë argumente për politikat e saj,” tha ligjvënësja republikane Marjorie Taylor Greene.

Debatet në Kongresin amerikan nuk marrin tone aq të zjarrta sa në Parlamentin britanik.

Gjithashtu, nuk ndodhin zënka me grushte… së paku deri tani nuk ka pasur të tilla.

“Në vetë ADN-në e demokracisë është debati, kundërshtitë, mosmarrëveshjet, sfidat dhe pretendimet se pala tjetër nuk po tregon mirësjellje,” thotë profesori i Universitetit Vanderbilt Robert Talisse. Ai thotë se qëndrimi i amerikanëve ndaj politikave shtetërore nuk ka ndryshuar shumë që nga vitet 1980.

“Por gjatë 20-25 vjetëve të fundit është intensifikuar konflikti partiak. Është thelluar antipatia për palën tjetër. Ne i shohim tani njerëzit që votojnë ndryshe prej nesh si të pakuptueshëm, të papërputhshëm me ne, njerëz që nuk mund t’u zësh besë,” thotë zoti Talisse.

“Mungesa e mirësjelljes tregon se nuk ke respekt për kundërshtarin. Kjo në një farë mënyre mund të interpretohet se nuk e sheh tjetrin si të barabartë me ty, si dikush që duhet t’i dëgjohet fjala,” thotë pedagogia e shkencave politike Mona Lena Krook. Ajo shton se gratë në politikë ndeshen me një variant specifik të mungesës së mirësjelljes:

“Zyrtarët shtetërorë, të çfarëdo prejardhjeje shihen me dyshim nga amerikanët që i përkasin forcës kundërshtare politike. Por gratë në poste zyrtare përballen me një agresivitet të bazuar tek identiteti si dhe rezistenca ndaj një bindjeje të caktuar politike,” thotë zonja Krook.

T’i kthehemi përplasjes së fundit mes dy ligjvënëseve:

“Marjorie Taylor Green e ka vënë në shenjestër demokraten Ocasio Cortez si dhe pjesëtare të tjera të grupimit të ligjvënëseve progresiste, si Ilhan Omar, Rashida Tlaib apo Ayanna Presley, të cilat janë të gjitha gra me ngjyrë. Por është interesant fakti që asnjë prej tyre nuk është një figurë me peshë në Kongres apo ndër anëtaret më të fuqishme të Partisë Demokrate,” thotë pedagogia.

Kjo retorikë e fortë reflekton edhe më gjerë.

“Që të fitosh zgjedhjet duhet t’i motivosh ata që janë në anën tënde të votojnë, të dhurojnë para, të bëjnë aktivizëm. Kemi zbuluar se fryma konfliktuale, mllefi dhe arroganca janë motivues të fortë për aktivizëm politik,” thotë zoti Talisse.

Ballafaqimi i Ligjvënëses Taylor Greene me kolegen demokrate Ocasio-Cortez i është paraqitur për shqyrtim Komisionit të Dhomës së Përfaqësusve për Etikën./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat