Tregu i pasurive të patundshme përjeton rritje të pazakontë

Amerika

Tregu i pasurive të patundshme përjeton rritje të pazakontë

Më: 30 maj 2021 Në ora: 17:13
Foto ilustrim

Sipas Shoqatës Kombëtare amerikane të Shitësve të Patundshmërive, në vitin 2020 niveli i kërkesave për blerje shtëpish ka qenë më i larti që nga viti 2006. Ekspertët parashikojnë se kërkesat për blerje në tregun e pasurive të patundshme do të mbeten të larta për të paktën 6 muaj.

Alyssa McCrea dhe burri i saj kishin planifikuar të lëviznin nga qyteti i Uashingtoni për në periferi, pasi vajza e tyre të mbaronte shkollën e mesme. Kur vajza e tyre po përgatitej të diplomohej, Shtetet e Bashkuara u goditën nga pandemia dhe çifti gjeti shtëpinë që dëshironte.

"Kjo shtëpi ishte në treg për një muaj ose më shumë kur e gjetëm dhe ne nuk kishim konkurrentë, sepse të gjithë kishin frikë të blinin shtëpi", thotë Alyssa.

Ata nxorën për shitje shtëpinë e vjetër në prill të vitit 2020 dhe mendonin se do të prisnin me muaj për të gjetur një blerës.

“Ne pranuam një ofertë për shtëpinë tonë rreth tre ditë pasi e nxorëm në treg. Blerësit na dhanë një ofertë më të lartë se kërkesa jonë dhe ne nuk po e besonim dot! Kishim frikë se nuk do ta shisnim dot shtëpinë kurse tani po e japim me një çmim më të lartë!", thotë Alyssa.

Ekspertët thonë megjithatë se McCrea nuk kishte zgjedhur kohën më të mirë për të ndërruar shtëpi. Që nga prilli i vitit 2020, tregu i pasurive të patundshme në vend është rritur, kryesisht falë normave rekord të ulëta të interesit për huatë, që ishin mesatarisht 2.7% në vitin 2020, thotë Shoqata Kombëtare e Patundshmërive.

Lawrence Yun, Shoqata Kombëtare e Shitësve të Pasurive të Patundshme-skype

"Pra, ata shfrytëzuan normat e ulëta të interesit dhe shitjet e shtëpive u rritën 20 përqind mbi nivelin e para-pandemisë", thotë Lawrence Yun nga Shoqata e Patundshmërive.

Amerikanët e moshave 25 deri 40 vjeç hynë në tregun e shtëpive në mënyrë aktive. Sipas Byrosë Amerikane të Regjistrimit të Popullsisë, ata përbëjnë rreth 22% të popullsisë.

“Ata janë brezi me numrin më të madh të njerëzve dhe po arrijnë moshën e blerjes së shtëpive. Pra, ata po arrijnë në mesin e të 30-ave. Ata duan të stabilizohen, duan të blejnë shtëpi", thotë zëdhënësja e kompanisë Zillow, Amanda Pendelton.

Për këtë arsye u rritën kërkesat për blerje. Një nga faqet më të njohura të internetit për pasuritë e patundshme, Zillow, regjistroi një rritje prej 1.5 miliardë klikimesh. Dhe thjesht nuk ka shtëpi të mjaftueshme për të gjithë ata që kërkojnë të blejnë.

"Sipas vlerësimit tim, në të gjithë vendin ka një mungesë prej gjashtë milionë shtëpish", thotë Lawrence Yun.

Shoqata Kombëtare e Ndërtuesve të Shtëpive gjithashtu pranon mungesën e shtëpive, por thotë se numri i tyre është tre herë më i vogël. Ajo shton se problemi ka ekzistuar në dekadën e fundit, dhe pandemia thjesht e ka nxjerrë në pah këtë.

“Recesioni i madh ishte absolutisht shkatërrues për industrinë e shtëpive, dhe shumë njerëz nuk u kthyen më në punë. Pra, ende kemi një deficit të fuqisë punëtore të kualifikuar për shkak të kësaj. Dhe atëherë të rinjtë nuk ishin të interesuar të punonin në industrinë e ndërtimit", thotë Danushka Nanayakkara nga Shoqata Kombëtare e Ndërtuesve.

Kërkesat e larta të shoqëruara me mungesën e shtëpive kanë shkaktuar rritjen e çmimit.

"Vlera e shtëpive në Shtetet e Bashkuara është rritur 10% gjatë vitit të kaluar, dhe shtëpitë po shiten mesatarisht brenda 14 ditëve, 20 ditë më shpejt sesa një vit më parë", thotë zëdhënësja e kompanisë Zillow, Amanda Pendelton.

Megjithatë, ekspertët thonë se tregu i shtëpive nuk ka shumë të ngjarë të bjerë ashtu si në vitin 2008. Një nga arsyet janë kushtet më të rrepta të huazimit.

"Kur të rriten normat e interesit, do të shohim një sheshim të çmimit të shtëpive. Normat e interesit do të rriten në gjashtë ose 12 muajt e ardhshëm", thotë eksperti i pasurive të patundshme, Ken Johnson.

Zyrtarët e Shoqatës së Patundshmërive besojnë se tregu do të stabilizohet deri në vitin 2022 kur ata parashikojnë një rënie të çmimeve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat