Klinikat portative synojnë vaksinimin e amerikanëve në qytete të vogla dhe zona rurale

Amerika

Klinikat portative synojnë vaksinimin e amerikanëve në qytete të vogla dhe zona rurale

Më: 1 qershor 2021 Në ora: 00:48
Pamje nga vendi i ngjarjes

Përmes klinikave portative, mjekët dhe infermierët po shkojnë kudo në Shtetet e Bashkuara, për t’u siguruar që njerëzit në qytete të vogla dhe zona të largëta rurale të mund të vaksinohen. Në Nevada, Arizona, Kentaki dhe vende tjera, Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave ka dërguar njësitë e lëvizshme në vendet ku mungojnë farmacitë, klinikat dhe qendrat e vaksinimit.

Në Nevada, mjekë dhe infermierë vullnetarë janë bashkuar me Gardën Kombëtare duke shpërndarë mijëra doza në komunitete ku zyrtarët e shtetit thonë se nuk ka mënyra të tjera për t’u vaksinuar.

Kjo është një nga shumë përpjekjet për të luftuar pandeminë duke imunizuar qytetarët ndërsa interesi për vaksinat zbehet.

Klinika portative në qytetin Reno duke lëvizur përgjatë 96 kilometrave ofron mundësi vaksinimi në 28 zona të shtetit Nevada.

Kjo është një nga taktikat që zyrtarët shëndetësorë po përdorin në gjithë vendin për të zgjuar interesimin për t’u vaksinuar. Në qytete të vogla, kisha, parqe, klube striptizmi, madje edhe në dyqane marihuane, zyrtarët po krijojnë pika ku ofrohen stimuj për të joshur njerëzit të vaksinohen, ndërsa vendi mundohet të arrijë imunitetin e tufës.

Në Nevada, zyrtarët shëndetësorë e pranojnë se nuk ka gjasa të arrijnë objektivin fillestar të tyre për të vaksinuar 75 për qind të popullsisë, shifër kjo që besohej se ishte e nevojshme për të arritur imunitetin e tufës.

“Unë u thashë atyre se isha shumë mirënjohës që vullnetarisht po na ndihmojnë të kthehemi në normalitet në mënyrë që të mundem të shkoj në dyqane dhe plazh”, tha 65 vjeçari Dan Lavely.

Dy klinika të lëvizshme të agjencisë FEMA lëvizin në Nevada në qytete pa farmaci, klinika ose qendra vaksinimi, duke u dhënë mjekëve, infermierëve dhe Gardës Kombëtare një perspektivë nga dora e parë në komunitete rurale dhe fisnore ku gjetja e vaksinave ishte e vështirë për banorët.

“Filozofia jonë është kjo: nuk ka ndonjë dallim nëse janë 2 ose 200 njerëz”, tha Peggy Franklin, infermiere vullnetare.

Për të ruajtur vaksinën, rimorkiot janë të pajisura me frigoriferë ultra të ftohtë që furnizohen me rrymë nga gjeneratorët.

Në fillim, qëllimi ishte vaksinimi i 250 njerëzve në ditë. Por numrat kanë ndryshuar, ndërsa furnizimi me vaksina është rritur ndërsa kërkesa ka rënë.

“Vetëm një muaj më parë, njerëzit hasnin në vështirësi për gjetjen e qendrave të vaksinimit. Kjo ka ndryshuar në tre ose katër javët e fundit. Ne po përpiqemi të gjejmë njerëzit që janë me hezitues ndaj vaksinimit”, tha mjeku Marc Reynolds.

Klinikat kanë dhënë 7 mijë e 600 doza gjatë dy turneve në Nevada ndërsa janë përdorur edhe në Arizona, Illinoi, Kentaki dhe shtete tjera.

Shefi i Departamentit për Menaxhimin e Emergjencave në Nevada, Dace Forgerson, tha se komunitetet e largëta në vend “me siguri nuk do të kishin mënyrë tjetër vaksinimi”.

Gerlach, për shembull, ndodhet 140 larg farmacisë më të afërt në Reno-Sparks. Me vetëm 34 banorë, më pare ishte shtëpia e një miniere gipsi dhe festivalit “Burning Man” që dikur tërhiqte 80 mijë vizitorë. Peisazhi i shkretë i vendit u paraqit në filmin fitues të Çmimit Oscars për këtë vit, “Nomadland”.

Gati gjysma e banorëve në Nevada që kualifikohen për vaksinim kanë marrë të paktën njërën dozë. Por të dhënat ndryshojnë nga vendi në vend.

Ndërsa numri i të infektuarve po bie dhe pandemia duket se po largohet, zyrtarët e kuptojnë se nuk është e lehtë të bindësh ata që hezitojnë, që të vaksinohen.

“Është me rëndësi që njerëzit që menaxhojnë vaksinimin të ngjasojnë me komunitetin”, tha Jeanne Freeman nga Departamenti i Shëndetit në qytetin Carson. “Niveli i komoditetit është i rëndësishëm. Nganjëherë mjafton të jesh në një mjedis që e njeh”.

Ide tjera promovuese përfshijnë lotari të hapura për banorët që vaksinohen plotësisht deri më 4 korrik. Kolorado, Merilend, Ohajo, Nju Jorku dhe Oregon janë mes shtetesh që joshin njerëzit me lotari ku mund të fitohen 5 milionë dollarë.

Në Nevada planifikohet shfaqja e klinikave të lëvizshme në birrari, kisha dhe parqe. Në Reno, vaksinimi ofrohet edhe në ndeshje bejsbolli.

“Duhet t’i gjejmë njerëzit aty ku ndihen të sigurtë”, tha Diana Sande, zëdhënëse në shkollën mjekësore të Universitetit të Nevadës. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat