Florida, pas shembjes shqyrtohet mundësia e boshatisjes së një tjetër ndërtese

Amerika

Florida, pas shembjes shqyrtohet mundësia e boshatisjes së një tjetër ndërtese

Më: 27 qershor 2021 Në ora: 16:11
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryebashkiaku i qytezës SërfSajd në Florida tha se po punon për një plan për strehimin e përkohshëm të banorëve të një kompleksi apartamentesh të ndërtuara nga e njëjta kompani që ndërtoi kompleksin që u shemb të enjten.

Por kryebashkiaku tha se nuk është ende gati të urdhërojë boshatisjen e ndërtesës që ndodhet disa metra larg kompleksit të shembur. Ai ka dhënë urdhër për inspektimin e Kullave Veriore Champlain që ndodhen pranë brigjeve të Atlantikut, ashtu si ndërtesa e shembur.

Të dyja komplekset u ndërtuan në 1981. Ndërkaq vazhdojnë kërkimet në kompleksin e shembur. Deri tani janë konfirmuar pesë të vdekur dhe 156 mbeten të pagjetur. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë penguar nga një zjarr që shpërtheu në thellësi të rrënojave.

Image
Kulla veriore nën vëzhgim

Afro tre vjet para se të shembej ndërtesa në veri të Majamit, një firmë inxhinjerike kishte përllogaritur se nevojiteshin riparime me vlerë 9 milionë dollar, siç del nga komunikime me email të sapo bëra publike.

Nxjerrja e dokumenteve të 2018-ës pason daljen e një dokumenti tjetër nga e njëjta firmë ku thuhet se pishina në katin përdhes të ndërtesës ndodhej mbi një shtresë betoni që kishte “dëme të mëdha strukturore” dhe kërkonte punime serioze për riparim. Po në këtë raport përmenden “çarje dhe gërryeje të shumta” në kolonat mbajtëse prej betoni, trarët dhe muret e garazhit.

Raporti nuk përmend rrezik të menjëhershëm nga këto dëmtime dhe nuk është ende e qartë nëse këto probleme ishin shkaku i shembjes së ndërtesës.

Deri në momentin e shembjes asnjë nga riparimet e përmendura në raport nuk ishin bërë.

Një numër padish janë ngritur deri tani, përfshirë një çështje të paraqitur disa orë pas shembjes që akuzon shoqatën e pronarëve të apartamenteve për neglizhencë dhe kërkon dëmshpërblim./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat