Mbetet i pandryshuar numri i viktimave në Sërfsajd të Floridës - Presidenti Biden do të vizitojë zonën të enjten

Amerika

Mbetet i pandryshuar numri i viktimave në Sërfsajd të Floridës - Presidenti Biden do të vizitojë zonën të enjten

Më: 29 qershor 2021 Në ora: 20:10
Florida

Hyjnë në ditën e gjashtë kërkimet për të mbijetuar pas shembjes së një ndërtese banimi në Sërfsajd të Floridës, ku deri tani numri i viktimave ka arritur në të paktën 11 persona. Ekipet e shpëtimit janë në një betejë me kohën në kërkim të 150 personave të tjerë që ende janë të zhdukur.

Shpresat kanë filluar të veniten por ka njerëz që ende e mbajnë shpresën gjallë për të gjetur të dashurit e tyre. Magnituda e kësaj ngjarje ka tërhequr ekipe të kualifikuara të shpëtimit nga Izraeli dhe Meksika megjithëse vetë ekipi i qarkut Majami Dejd ka përvojë të gjatë pasi kjo zonë përballet shpesh me uraganë. Megjithatë asnjë nga ato ngjarje nuk krahasohet me katastrofën e shkaktuar nga rrëzimi i godinës. Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden do të shkojnë në Sërfsajd të enjten për të vizituar familjet e viktimave.

Hetimet ndërkohë kanë filluar për të përcaktuar shkakun e rrëzimit të ndërtesës.

Gazeta MIAMI HERALD publikoi fotografi të marra nga një kontraktor vetëm 36 orë para tragjedisë – I cili tha se kishte patur ujë në garazhin e ndërtesës, të çara betoni dhe gërryerje në binarët e pishinës.

Gjithashtu gazeta The Wall Street Journal publikoi një letër që u ishte dërguar banorëve të ndërtesës jo më larg se në prill nga presidenti i bordit të ndërtesës ku paralajmërohej se godina kishte nevojë për riparime madhore dhe se gjendja e ndërtesës ishte përkeqësuar që nga raporti i inpektimit të vitit 2018 që kishte bërë të qartë se ndërtesa kishte dëmtime serioze dhe se kërkoheshin riparime që kapnin shifrën 9.1 milionë dollarë.

Një inxhinier strukturash që ka marrë pjesë në hetimet për sulmet e 11 shtatorit në Pentagon është punësuar për të inspektuar shkatërrimin e ndërtesës por ky proces pritet të jetë i gjatë. Rrënonjat e godinës janë evidencë për këtë punë kolosale për të gjetur shkakun e rrëzimit. Zyrtarët thanë se mbetjet duhet të transportohen në një magazinë ku do të inspektohen, por tani pritoritet mbeten ende operacionet e kërkim-shpëtimit.

Në Sërfsajt të Floridës mbahen homazhe për të nderuar ata që humbën jetën dhe të zhdukurit nga shembja e një ndërtese 12 katëshe banimi që ndodhi javën e kaluar.

"Ende ka shpresë. Unë besoj se mrekullitë mund të ndodhin. Kanë ndodhur gjithandej në botë. Në këtë mision janë përfshirë forcat izraelite, meksiane, pra ekipet më të mira. Prandaj kam besim”, thotë Martin Langesfelt, familjar i dy të zhdukurve.

Tubimi solemn i ndezjes së qirinjve u mbajt në plazh, jo shumë larg godinës pjesërisht të shembur, ku autoritetet thanë se me përjashtim të atyre që arritën të shpëtojnë në orët e para pas shëmbjes, ata nuk kanë arritur të gjejnë të mbijetuar të tjerë.

Ndërsa orët kalojnë, shpresat e familjarëve po veniten thotë kryebashkiakja e Majami-Dejd.

"Familjet, për shkak të procesit që kemi kaluar, po arrijnë në përfundimet e tyre. Disa kanë më shumë shpresa, disa më pak, sepse nuk kemi përgjigje të prera. Ne u japim faktet. I dërgojmë në vendin e ngjarjes ku ata shohin operacionin. Kur e kuptojnë këtë, e përgatisin veten për lajmin“, thotë Daniella Levine Cava, Kryebashkiake në Majami-Dejd.

Dy trupa tjerë u nxorrën të hënën, duke e çuar në 11 numrin e përgjithshëm të të vdekurve.

Zyrtarët thanë të hënën se 150 persona të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur ndërsa ekipet e shpëtimit kërkojnë në rrënojat e ndërtesës.

Edhe të tjerë që vazhdojnë të shpresojnë ndaluan në heshtje në memorialin e improvizuar, ndërsa të tjerët ngushëllonin njëri-tjetrin afër ndërtesës së shembur, ku po vazhdojnë kërkimet me makineri të rënda.

Një ekip shkencëtarësh dhe inxhinierësh po kryejnë një hetim paraprak në vendin e ngjarjes lidhur me shkaqet e rrëzimit të ndërtesës. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat