SHBA, të drejtat e transgjinorëve dhe Gjykata e Lartë

Amerika

SHBA, të drejtat e transgjinorëve dhe Gjykata e Lartë

Më: 30 qershor 2021 Në ora: 06:28
Gjykata e Lartë

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi të hënën që të mos shqyrtonte një apelim kundër vendimit të bordit të një shkolle në Virxhinia për përdorimin e banjave nga transgjinorët. Aktivistët e të drejtave të transgjinorëve thanë se ky është një hap i parë i mirë.

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë të hënën, Gavin Grimm, një ish-nxënës i shkollës së mesme që luftoi në gjykatë për gjashtë vjet për të përmbysur vendimin e bordit të shkollës në qarkun e Gloçesterit, që nuk e lejoi atë të përdorte banjën për meshkujt, tha se beteja për të drejtat e transgjinorëve vazhdon.

"E para dhe më e rëndësishmja është se kjo luftë nuk ka mbaruar. Ka shtete në të gjithë vendin që po miratojnë ligje kundër transgjinorëve ose po përpiqen t'i miratojnë ato dhe pastaj po dështojnë për shkak të angazhimit të organizatave si ACLU. Kemi një rrugë të gjatë përpara. Kjo është një fitore dhe një hap përpara, por është vetëm një hap", tha Gavin Grimm.

Gjykata nuk dha asnjë shpjegim për vendimin. Por dy nga anëtarët e saj më konservatorë, Samuel Alito dhe Clarence Thomas, ishin në favor të shqyrtimit të këtij rasti.

Vendimi i Gjykatës së Lartë për të mos shqyrtuar rastin e Virxhinias vjen në një kohë kur disa shtete po shqyrtojnë projektligje mbi të drejtat e transgjinorëve. Disa shtete të udhëhequra nga republikanët kanë marrë vendime për të ndalur pjesëmarrjen e vajzave transgjinore në garat sportive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat