Biden pranë familjeve në Florida: Pritja është e padurueshme

Amerika

Biden pranë familjeve në Florida: Pritja është e padurueshme

Më: 2 korrik 2021 Në ora: 00:55
Joe Biden dhe Jill Biden

Presidenti Joe Biden përdori përvojën e tij personale me dhimbjen dhe humbjen e një njeriu të dashur për të ngushëlluar familjet e personave të vdekur ose ende të pagjetur nga shembja e kompleksit të banimit në Florida. “Kurrë mos e braktisni shpresën” tha presidenti të enjten gjatë vizitës në Florida, megjithëse operacionet e kërkim-shpëtimit u pezulluan në orët e para të ditës.

Duke folur me disa nga familjet e prekura nga tragjedia, Presidenti Biden u shpreh me terma shumë personale duke ofruar lutje dhe mbështetje.

“Sa do të doja që të bëja diçka për t’jua lehtësuar dhimbjen,” thotë presidenti, në një videoklip të postuar në Instagram nga Jacqueline Patoka, një grua që ende nuk di fatin e dy miqve të saj dhe vajzës së tyre, që banonin në kompleksin e shembur.

Presidenti Biden ka dhuntinë e rrallë të komunikojë nga zemra në raste të rënda humbjesh familjare, pasi ai vetë ka kaluar disa tragjedi në jetë: gruaja e parë dhe vajza e çiftit humbën jetën në një aksident automobilistik, ndërsa djali i madh vdiq vite më vonë nga kanceri. Presidenti u është kthyer shpesh këtyre momenteve të rënda për t’u ofruar ngushëllime amerikanëve që janë ndeshur me tragjedi, duke përfshirë këtu edhe familjet që humbën njerëz të dashur nga pandemia.

Me zë të qetë, të ngarkuar me emocione, Presidenti Biden përshkroi të enjten dëshpërimin që kishte ndjerë duke pritur të mësonte fatin e njerëzve të dashur pas aksidentit tragjik. Ai shpenzoi më shumë se tre orë me familjarët, duke u takuar me radhë me ta për të dëgjuar historitë e tyre.

“Pritja, pritja është e papërballueshme,” tha në një moment presidenti pasi po fliste me një familje që ende nuk e dinte fatin e njeriut të dashur.

"Njerëzit që mund të keni humbur do të jenë me ju gjithë jetën. Ata janë pjesë e shpirtit tuaj, e identitetit tuaj,” tha zoti Biden. “Do të lutem për ju”.

Presidenti u informua shkurtimisht mbi situatën nga Guvernatori i Floridës Ron DeSantis dhe kryebashkiakja e komunës Majami-Dejd Daniella Levine Cava, si dhe nga dy senatorët e këtij shteti. Kryebashkiakja vlerësoi përpjekjet pa dallim partiak për t’iu përgjigjur kësaj katastrofe.

Guvernatori republikan DeSantis, i cili besohet se ushqen ambicje për të konkurruar për president në 2024, i tha zotit Biden se “bashkëpunimi ka qenë i shkëlqyer” duke deklaruar se administrata Biden jo vetëm i ka mbështetur, por “nuk kemi pasur pengesa burokratike”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat