Policia qetëson rrugët e Havanas

Amerika

Policia qetëson rrugët e Havanas

Më: 13 korrik 2021 Në ora: 09:07
Policia civile shihet duke ndaluar një person, në protestat kundër Qeverisë në Kubë më 11 korrik.

Rrugët e Havanas kanë qenë të qeta më 12 korrik, për shkak të prezencës së madhe të policisë, një ditë pasi protestuesit në Kubë kanë bërë thirrje për dhënie fund të regjimit komunist.

Ata kanë shprehur pakënaqësi edhe për krizën ekonomike dhe menaxhimin që i është bërë pandemisë së koronavirusit.

Kontigjentet e mëdha të policisë kanë patrulluar në kryeqytet, pas protestave të rralla në Havana dhe qytete tjera në gjithë ishullin.

Ky vend po ashtu është përballur me ndërprerje të rrjeteve mobile, derisa grupi në ekzil për të drejtat e njeriut, Cubalex, ka thënë se të paktën 100 protestues, aktivistë dhe gazetarë të pavarur janë ndaluar, prej nisjes së protestave.

Mijëra persona janë bashkuar në protestat e 11 korrikut, kundër Qeverisë, në ishullin e drejtuar nga komunistët.

Duke bërtitur “liri” dhe “rënie e diktaturës”, shumë protestues kanë bërë thirrje për rënie të komunizmit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë me popullin kuban dhe “thirrjet e tyre për liri”, bashkë me dëshirën për lehtësim të situatës nga pandemia dhe nga “dekada të shtypjes dhe problemeve ekonomike, të cilat kanë qenë subjekte të regjimit autoritar në Kubë”.

Julie Chung, ndihmës-Sekretare për Byronë e Çështjeve të Hemisferës Perëndimore të Departamentit amerikan të Shtetit, ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të liderëve opozitarë, duke përfshirë Jose Daniel, liderin e grupit më të madh opozitar në Kubë, Unioni Patriotik i Kubës.

Daniel është arrestuar teksa ka qenë duke dalë nga shtëpia, për t’iu bashkuar protestave më 11 korrik.

Vendndodhja e tij nuk dihet ende, ka thënë aktivisti i Unionit Patriotik të Kubës, Zaqueo Baez.

Një tjetër disident i mirënjohur, Coco Farinas, është arrestuar pasi ka dalë nga shtëpia më 12 korrik, në qendër të qytezës Santa Clara, ka thënë nëna e tij, Alicia Fernandez për agjenci të mediave.

Presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel, në një adresim televiziv mbi katër orë, ka thënë se mbështetësit pro-Qeverisë kanë rikthyer rregullin në këtë vend.

Ai ka thënë se protestat janë pasojë e “politikës amerikane për ngufatje ekonomike, për të provokuar trazira shoqërore në këtë shtet”.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, pati shtuar sanksionet ekonomike kundër Kubës. Biden është zotuar gjatë fushatës së tij se do të lehtësojë disa masa, mirëpo ende nuk ka bërë një gjë të tillë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se zyrtarët kubanë nuk duhet t’ia vënë fajin SHBA-së për protesta.

Kjo gjë do të përbënte “gabim të madh, sepse do të tregonte se ata thjesht nuk janë duke dëgjuar zërin dhe dëshirën e popullit të Kubës”, ka thënë Blinken.

Ambasadori rus në Kubë, Andrei Guskov, ka thënë në një intervistë për agjencinë e lajmeve TASS, se protestat nuk kanë qenë tentim për rrëzim të Qeverisë, mirëpo janë lidhur me shpërthim të koronavirusit dhe mungesë të ushqimit, naftës, ilaçeve dhe energjise elektrike.

“Njerëzit shprehin dëshira, dhe disa zemërime. Qeveria ka reaguar ndaj të gjithave në mënyrë operative”, ka thënë Guskov.

Rusia, bashkë me Meksikën, kanë thënë se asnjë shtet nuk duhet të përfshihet në çështjet e brendshme të Kubës.

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka ofruar gjithë mbështetjen e tij për presidentin e Kubës dhe “Qeverinë revolucionare” të ishullit.

Qeveria e Maduros është aleate e ngushtë e Kubës./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat