SHBA-ja e quan të papranueshëm nivelin e dhunës në Afganistan

Amerika

SHBA-ja e quan të papranueshëm nivelin e dhunës në Afganistan

Më: 10 gusht 2021 Në ora: 21:30
Luftëtarët talibanë në një pikë kontrolli në qytetin Kunduz, Afganistanin verior, të hënën, 9 gusht 2021.

Shtetet e Bashkuara thonë se nivelet e dhunës në Afganistan janë të papranueshme dhe nuk përkojnë me marrëveshjen e paqes mes Uashingtoni dhe talibanëve. Deklarata u bë të martën (10 gusht) nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price.

"Sigurisht që nivelet e dhunës, nuk duken në përputhje me atë që u zotuan talibanët në atë marrëveshje", u tha Price gazetarëve.

Marrëveshja me talibanët për tërheqjen e trupave amerikane ishte arritur nga ana e administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump në fillim të vitit 2020.

Marrëveshja parashihte tërheqjen e plotë të forcave të huaja pasi talibanët ishin zotuar se nuk do të lejojnë grupe terroriste në territorin afgan.

Tërheqja filloi në muajin maj të këtij viti dhe pritet të përfundojë në fund të muajit gusht.

Menjëherë pas fillimit të tërheqjes, talibanët kanë ndërmarrë ofensivë për të marrë nën kontroll territorin që administrohej nga Qeveria afgane. Luftime të ashpra janë raportuar gjatë ditëve të fundit. Tashmë talibanët kanë marrë nën kontroll disa qytete të mëdha.

I dërguari i posaçëm amerikan për Afganistanin, Zalmay Khalilzad është në Katar për bisedime me talibanët në përpjekje për ta detyruar grupin të ndalojë ofensivën e tij gjithëpërfshirëse. Në kryeqytetin e Katarit, Doha, grupi militant ka një zyrë politike.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, më 10 gusht përsëriti qëndrimin e Uashingtonit se forcat afgane të mbrojtjes janë të trajnuar dhe pajisur mjaftueshëm për të luftuar talibanët.

Psaki po fliste pasi agjencitë ndërkombëtare të lajmeve cituan një zyrtar të lartë të Bashkimit Evropian të thoshte se luftëtarët talibanë tani kontrollojnë 65 për qind të Afganistanit.

Më 2001, forcat e udhëhequra nga SHBA-ja kanë pushtuar Afganistanin dhe kanë rrëzuar regjimin e talibanëve, për shkak të strehimit të Al-Kaidës, grupit ekstremist, i cili ka qenë mbrapa sulmeve terroriste të 11 shtatorit në tokën amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat