CDC: Gratë shtatzëna të vaksinohen kundër COVID-it

Amerika

CDC: Gratë shtatzëna të vaksinohen kundër COVID-it

Më: 11 gusht 2021 Në ora: 21:11
Foto ilustrim

Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u bënë thirrje të mërkurën të gjitha grave shtatzëna të vaksinohen kundër COVID-19. Thirrja vjen ndërsa spitalet, në ato shtete që tashmë janë shndërruar në vatra të nxehta për sa i takon infeksioneve, po shohin një numër shqetësues të grave shtatzëna të pavaksinuara, që po preken rëndë nga virusi.

Kjo kategori rrezikon të preket rëndë nga sëmundja si dhe të përballet me komplikime gjatë shtatzënisë, duke mos përjashtuar mundësinë e dështimit apo dhe vdekjes së foshnjës në bark. Por normat e vaksinimit në mesin e grave shtatzëna janë të ulëta, vetëm rreth 23% që kanë marrë të paktën një dozë, sipas të dhënave të CDC-së.

"Vaksinat janë të sigurta dhe efektive. Nuk ka qenë kurrë më urgjente se sa tani që të shtohen vaksinimet pasi përballemi me variantin shumë ngjitës delta dhe shohim simptoma të rënda nga COVID-19 tek gratë shtatzëna të pavaksinuara", tha në një deklaratë Drejtoresha e CDC-së Dr. Rochelle Walensky.

Udhëzimi i ri vjen pas një analize të kryer nga kjo agjenci tek 2,500 gra, gjetjet e së cilës treguan se nuk kishte asnjë rrezik të shtuar për dështim për ato që bënë të paktën një dozë të vaksinës Pfizer apo Moderna para javës së 20-të të shtatzanisë. Studimi raportoi një normë aborti prej rreth 13%, që shihet si brenda kufirit normal.

Edhe pse gratë shtatzëna nuk u përfshinë në studimet që çuan në autorizimin e vaksinave kundër COVID-19, ekspertët thonë se përvoja nga jeta reale tek dhjetëra mijëra gra tregon se vaksinat janë të sigurta dhe se kur ato bëhen gjatë shtatzënisë, mund të ofrojnë njëfarë mbrojtjeje për të porsalindurit.

Udhëzimi i ri vjen mes një rritjeje të rasteve me COVID-19, shtrimeve në spital dhe numrit të vdekjeve, të nxitura nga varianti delta.

Një pjesë e autoriteteve shëndetësore besojnë se ky variant i COVID-it mund të shkaktojë prekjen nga forma më të rënda të sëmundjes tek gratë shtatzëna dhe të tjera, krahasuar me variantet e mëparshme të virusit. Megjithatë kjo hipotezë vazhdon të jetë ende nën shqyrtim.

Shifrat në rang kombëtar tregojnë se rritja e fundit e rasteve mes grave shtatzëna është më e ulët se sa ishte në dimër, në kulmin e shpërthimit të virusit. Por në disa spitale, në ato shtete me norma të ulëta vaksinimi, numri i grave shtatzëna të sëmura me COVID, i tejkalon shifrat e atyre që u infektuan gjatë shpërthimeve të mëparshme të virusit, përpara se të fillonte vaksinim./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat