Pentagoni thotë se po bën përpjekje maksimale për evakuimet nga Afganistani

Amerika

Pentagoni thotë se po bën përpjekje maksimale për evakuimet nga Afganistani

Më: 25 gusht 2021 Në ora: 06:25
Ilustrim

Numri i evakuimeve nga aeroporti i Kabulit është rritur ndjeshëm, por ende mbeten për t’u nxjerrë nga vendi me dhjetëra mijëra njerëz.

"Ne po i tejkalojmë limitet duke bërë gjithçka që mundemi për të nxjerrë çdo person nga Kabuli", thotë Gjeneral Steve Lyons, Kreu i Komandës amerikane të Transportit

Gjeneral Lyons konfirmoi të hënën njoftimet se tre foshnje kanë lindur mes kaosit të evakuimit, një dëshmi e humanizmit dhe dëshpërimit për t'u larguar.

Brenda Kabulit situata vazhdon të jetë e pasigurt. Dy incidente jashtë aeroportit, një dyndje e papritur dhe një shpërthim zjarri u shoqëruan me viktima. Pikat e kontrollit të talebanëve vazhdojnë të jenë ende problematike sikurse rreziku nga sulmet e mundshme nga ana e Shtetit Islamik.

"Komandantët tanë në terren kanë ndërmarrë çdo veprim që munden për t'u përgatitur për një sulm të tillë", thotë Jake Sullivan, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare.

Një pjesë e 5,800 forcave amerikane që ndodhen në Kabul po kryejnë tashmë operacione sporadike shpëtimi për të ndihmuar amerikanët që të futen në aeroport, ndërsa mbeten pak ditë deri më 31 gusht, datë që talebanët e kanë quajtur një "vijë të kuqe".

I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse do të kërkohet autorizim për trupa shtesë, gjeneral major Hank Taylor, zëvendës drejtor i Shtatmadhorisë të për Operacionet Rajonale tha:

"Ajo që thashë është se me 5,800 trupa ne jemi në gjendje të vazhdojmë të sigurojmë hapesiren ajrore, të vazhdojmë të rrisim sigurinë atje dhe të vazhdojmë operacionet të cilat po i kryejmë tashmë".

"Nuk ka plane për momentin për të kërkuar ose autorizuar forca shtesë amerikane në këtë mision", tha John Kirby, Sekretari i Shtypit i Pentagonit.

Grupet e veteranëve dhe organizatat joqeveritare i kanë kërkuar presidentit që të nxjerrë nga vendi çdo amerikan dhe çdo afgan që ndodhet në rrezik.

"Ajo që presidenti po i thotë komunitetit global, thjesht nuk është e vërtetë. Pjesa dërrmuese e njerëzve që duan të shkojnë në aeroport nuk po munden”, thotë Matt Zeller, i organizatës “Askush të mos mbesë pas”.

Shtëpia e Bardhë u zotua të hënën se do të vazhdojë evakuimet për aq kohë sa do të nevojitet.

"Ne do të vazhdojmë t'i nxjerrim afganët në rrezik nga vendi edhe pasi forcat ushtarake amerikane të jenë larguar", tha Jake Sullivan, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare

Por se si do të ndodhë kjo, mbetet për t'u parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat