Banorët e Nju Orlinsit vazhdojnë të vuajnë nga pasojat e Uraganit Ida

Amerika

Banorët e Nju Orlinsit vazhdojnë të vuajnë nga pasojat e Uraganit Ida

Më: 1 shtator 2021 Në ora: 16:00
Nju Orlins

Uragani Ida ka lënë mbi një milionë banorë të shtetit amerikan të Luizianës pa energji elektrike dhe furnizim me ujë të pastër. Tetë linja të transmetimit të energjisë elektrike që furnizojnë qytetin turistik të Nju Orlinsit dhe pjesën jugore të shtetit të Luizianës janë dëmtuar, ose shkatërruar nga uragani Ida, që goditi këtë zonë të dielën me erëra të forta që arritën shpejtësinë prej 240 kilometrash në orë.

Autoritetet shtetërore dhe kompania “Entergy” thanë se mund të duhen 30 ditë për riparimin e infrastrukturës energjitike dhe rikthimin e energjisë elektrike. Banorët e pjesës jugore të shtetit të Luizianës, përfshirë qytetin turistik të Nju Orlinsit, kanë mbetur pa ajër të kondicionuar ndërsa ekspertët e motit thonë së në ditët e ardhshme pritet të ketë mot të nxehtë me temperatura midis 32 dhe 37 gradë Celsius.

“Çdo gjë është dëmtuar. Shtëpia, rrobat e mia, pajisjet shtëpiake, çdo gjë”, thotë Theophilus Charles, banor i Luizianës.

Shkollat janë mbyllur, ndërsa shumë spitale që tashmë janë të mbushur me pacientë të infektuar me COVID-19 po funksionojnë me gjeneratorë.

Zyrtarët në Nju Orlins kanë hapur qendra urgjence në të gjithë qytetin për banorët në mënyrë që ata të jenë në gjendje të pushojnë, të marrin ushqim, ujë dhe të karikojnë telefonat e tyre celularë. Mbi një milionë njerëz në Luiziana dhe Misisipi kanë ngelur pa energji elektrike.

Guvernatori i Luizianës, John Bel Edwards tha se digat mbrojtëse, të përforcuara pas uraganit Katrina, këtë radhë funksionuan më mirë. Megjithatë, ai u bëri thirrje banorëve të larguar, që të mos kthehen menjëherë në zonat e shkatërruara, për shkak të dëmit të madh mbi infrastrukturën dhe përpjekjeve për evakuimin e njerëzve nga zonat e përmbytura.

“Nëse jeni evakuuar, tani nuk është koha për t’u kthyer. Nuk duhet të ktheheni derisa autoritetet t’ju njoftojnë se kthimi është i sigurtë. Bizneset, dyqanet dhe shkollat janë të mbyllura”, tha guvernatori i Luizianës.

Të paktën katër persona kanë vdekur si pasojë e Uraganit Ida, përfshirë dy persona që humbën jetën nga shembja e një autostrade në shtetin fqinj të Misisipit.

Uragani Ida goditi Luizianën pikërisht 16 vjet pasi uragani Katrina shkatërroi Nju Orlinsin, duke shkaktuar vdekjen e 1,800 personave dhe la të bllokuar mijëra banorë të tjerë për ditë të tëra.

Qendra Kombëtare e Uraganëve tha se stuhia Ida pritet të shkaktojë përmbytje të rënda dhe tornado edhe në Tenesi, Karolinën e Veriut, Virxhinia, Merilend, Pensilvani, Nju Jork, Nju Xhërsi dhe Kënektikat./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat