Gazetarë të USAGM ende në Afganistan, kritika ndaj administratës

Amerika

Gazetarë të USAGM ende në Afganistan, kritika ndaj administratës

Më: 1 shtator 2021 Në ora: 16:01
Michael McCaul

Ligjvënësi republikan Michael McCaul e quajti "turp" faktin që qeveria amerikane dështoi të evakuojë nga Afganistani gazetarët e Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM), përpara përfundimit zyrtarisht të misionit ushtarak amerikan atje.

"Është absolutisht e turpshme që Departamenti i Shtetit pohoi se ka evakuuar punonjësit e tij lokalë, kur në realitet ata kanë braktisur me qindra gazetarë të USAGM e familjarë të tyre", thuhej në një deklaratë të martën të zotit McCaul, republikani kryesor i Komisionit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.

Agjencia Amerikane për Median Globale (USAGM) është një agjenci federale e pavarur, që përfshin disa rrjete mediatike, si "Zëri i Amerikës" dhe Radio "Azadi".

Në deklaratën e tij, zoti McCaul shprehej se afro 500 punonjës të USAGM e familjarë të tyre vazhdojnë të jenë në Afganistan. Në deklaratë thuhej gjithashtu se shumë prej tyre u ishte dhënë garanci nga administrata Biden, se do të evakuoheshin.

Zyrtarët e USAGM-së nuk i janë përgjigjur ende kërkesave për koment.

Uashingtoni njoftoi përfundimin e misionit amerikan në Afganistan gjatë një konference shtypi të hënën në Pentagon, duke u thënë gazetarëve se avioni i fundit amerikan ishte larguar nga Kabuli pak para mesnatës sipas orës lokale.

Republikanët e Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve thanë për "Zërin e Amerikës" se ata po e nxisin administratën të garantojë evakuimin e sigurt të punonjësve të USAGM, por shtuan se ata nuk e dinë se si mund të ndodhë një gjë e tillë pas largimit të ushtrisë amerikane. Disa që mbështesin idenë e fluturimeve private, janë të vetëdijshëm mbi ndërlikimet në dërgimin e gazetarëve të sigurt në aeroport, ndërsa po qëndrojnë të fshehur në Afganistan.

Në një konferencë shtypi të martën, i pyetur lidhur me gazetarët e USAGM zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se "do të bëhen përpjekje të jashtëzakonshme për t'i sjellë ata të sigurt e sa më shpejt të jetë e mundur".

Disa ditë para përfundimit të evakuimeve nga Kabuli, dhjetëra ligjvënës i kërkuan Presidentit Biden të garantonte kalim të sigurt për qindra gazetarë të USAGM.

"Po ua theksojmë se 550 punonjësit e USAGM dhe familjarët e tyre nuk janë ndryshe nga gazetarët për të cilët keni punuar me zell për të evakuuar", thuhej në një letër të nënshkruar nga 67 ligjvënës të Kongresit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat