Ligjvënësja republikane Cheney, nënkryetare e komisionit hetimor për 6 janarin

Amerika

Ligjvënësja republikane Cheney, nënkryetare e komisionit hetimor për 6 janarin

Më: 2 shtator 2021 Në ora: 21:13
Ligjvënësja Liz Cheney

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë promovuar ligjvënësen republikane Liz Cheney në rolin e nënkryetares së komisionit që heton sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit. Ajo merr kështu një post drejtues në këtë panel, ndërkohë që disa republikanë po kërcënojnë ta dëbojnë atë nga konferenca e Partisë Republikane për shkak të pjesëmarrjes në këtë komision.

Zonja Cheney, një kritike e ashpër e ish-Presidentit Donald Trump, ka vazhduar të shfaqet sfiduese megjithë kritikat nga partia e saj, duke këmbëngulur se Kongresi duhet të hetojë sulmin në Kapitol, në të cilin qindra mbështetës të ish-Presidentit Trump shtynë dhunshëm policinë, hynë në ndërtesë dhe ndërprenë çertifikimin e fitores së Joe Biden-it në zgjedhjet presidenciale.

"Ne i detyrohemi popullit amerikan të hetojmë gjithçka që çoi deri aty dhe të gjërave që ndodhën më 6 janar", tha zonja Cheney në një deklaratë, ndërsa demokratët njoftonin të enjten caktimin e saj. "Ne nuk do të pengohemi nga kërcënime ose përpjekje për pengim dhe nuk do të pushojmë derisa detyra jonë të përmbushet”.

Emërimi i zonjës Cheney si nënkryetare vjen ndërsa disa republikanë po përpiqen për të dëbuar ligjvënësen Cheney dhe Ligjvënësin e Illinoit, Adam Kinzinger nga konferenca republikane, për shkak se ata pranuan emërimin në këtë panel nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. Një letër e republikanit nga Arizona, Andy Biggs drejtuar udhëheqësit republikan Kevin McCarthy marrë nga agjensia e lajmeve The Associated Press i quan zonjën Cheney dhe zotin Kinzinger "dy spiunë të demokratëve", të cilëve republikanët nuk mund t'u besojnë të marrin pjesë në takimet e tyre private.

Zoti Biggs, kryetar i Grupit Konservator të Lirisë në Dhomën e Përfaqësuesve, po i bën thirrje konferencës të ndryshojë rregullat e saj për të deklaruar se çdo republikan që pranon një detyrë komisioni ose shërben në një komision pa rekomandimin e udhëheqjes së Partisë Republikane "do të humbasë menjëherë anëtarësinë në Konferencë”. Zyra e zotit McCarthy nuk iu përgjigj një kërkese për koment në lidhje me propozimin e zotit Biggs.

Image
Kevin McCarthy

Zonja Cheney, e cila tashmë është shkarkuar nga posti i saj si kryetare e Konferencës Republikane që në fillim të këtij viti, nuk është zmbrapsur nga kritikat, pavarësisht sfidave serioze nga procesi paraprak zgjedhor në shtetin e saj. Vajza e ish-Nënpresidentit Dick Cheney ka krijuar aleancën e papritur me zonjën Pelosi për atë që ajo e ka cilësuar si një luftë ekzistenciale për partinë dhe për vetë demokracinë.

"Çdo anëtar i këtij komisioni është i përkushtuar për të kryer një hetim jopartiak, profesional dhe të plotë të të gjitha fakteve relevante në lidhje me 6 janarin dhe kërcënimin ndaj Kushtetutës sonë me të cilin u përballëm atë ditë", tha zonja Cheney në deklaratë. "Unë kam pranuar pozicionin e nënkryetares së komisionit për t'u siguruar që do t'ia arrijmë këtij qëllimi".

Ndërsa komisioni është takuar privatisht, zonja Cheney ka bashkëpunuar nga afër me demokratët në përcaktimin e drejtimit të hetimit. Kryetari i komisionit, Ligjvënësi nga Misisipi, Bennie Thompson, tha në deklaratën që njoftonte emërimin e zonjës Cheney se demokratët janë "me fat që kanë një partnere me një forcë dhe guxim të tillë" dhe se njohuritë e zonjës Cheney kanë formësuar punën e hershme të panelit.

Zonja Cheney "ka demonstruar vazhdimisht angazhimin e saj për të marrë përgjigje për 6 janarin, duke siguruar llogaridhënie dhe duke bërë gjithçka që duhet për të mbrojtur demokracinë për popullin amerikan", tha zoti Thompson.

Pozita e nënkryetares, zakonisht e rezervuar për një anëtar të shumicës demokrate, i jep zonjës Cheney një rol kryesor në këtë panel pasi zoti McCarthy vendosi të mos emërojë asnjë nga anëtarët e grupit të tij në këtë komision. Zoti McCarthy tërhoqi të pesë republikanët që ai kishte përzgjedhur pasi zonja Pelosi refuzoi dy prej tyre, dhe ai ka kritikuar ashpër zonjën Cheney dhe zotin Kinzinger për pjesëmarrjen me kërkesën e saj.

Puna e komisionit sapo ka filluar dhe mund të zgjasë me muaj ose vite. Zoti Thompson hartoi kërkesa të gjera për informacion javën e kaluar drejtuar agjensive të zbatimit të ligjit dhe kompanive të mediave sociale në lidhje me planifikimin e sulmit, dhe këtë javë ai i kërkoi kompanive të teknologjisë dhe telekomunikacionit të ruanin komunikimet personale rreth sulmit.

Image
Komisioni

Në korrik, komisioni mbajti një seancë të parë emocionuese me katër oficerë policie që u ndeshën me sulmuesit dhe u plagosën dhe u abuzuan verbalisht kur protestuesit hynë në ndërtesë dhe përsëritën pretendimet e ish-Presidentit Trump për mashtrime të gjera zgjedhore.

Në seancë, zonja Cheney u shprehu oficerëve "mirënjohje të thellë për atë që keni bërë për të na shpëtuar" dhe mbrojti vendimin e saj për të pranuar emërimin në këtë komision.

"Pyetja për secilin prej nesh që shërben në Kongres, për çdo zyrtar të zgjedhur në këtë komb të madh, në të vërtetë për çdo amerikan është kjo", tha ajo. "A do t'i përmbahemi sundimit të ligjit, duke respektuar vendimet e gjykatave tona, dhe të ruajmë kalimin paqësor të pushtetit?"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat