Skeptikët ndaj vaksinave ndryshojnë mendje në Karolinën e Veriut

Amerika

Skeptikët ndaj vaksinave ndryshojnë mendje në Karolinën e Veriut

Më: 2 shtator 2021 Në ora: 22:24
Foto ilustrim

Wilbur, një 39-vjeçar, i cili punon si kuzhinier në një restorant në Sharlot (Charlotte) të Karolinës së Veriut, për muaj të tërë nuk kishte dashur të vaksinohej kundër koronavirusit për shkak të dyshimeve për efekte anësore potencialisht të rrezikshme.

"Fillimisht u tremba sepse njerëzit thonë shumë gjëra mbi vaksinat dhe njeriu reagon ndaj kësaj", i tha “Zërit të Amerikës” zoti Wilbur, i cili nuk pranoi të japë mbiemrin.

Por kur varianti tejet i transmetueshëm i koronavirusit, ai delta u bë shkak për një rritje të madhe të numrit të infeksioneve në këtë zonë, zoti Wilbur vendosi të përballet me frikërat e tij e të vaksionet.

"Reagimi im fillestar ishte frika, por pastaj pasi mora dozën e parë dhe nuk u ndjeva aq keq, kam ardhur sot për të marrë të dytën", tha zoti Wilbur, baba i dy fëmijëve ndërsa ndodhej në një nga qendrat e vaksinimit në Sharlotë.

"Së shpejti do t'i vaksinoj edhe vajzat, kur të gjejmë kohë, pasi ato janë në shkollë. Njëra është 16 dhe tjetra 18", shtoi ai.

Zoti Wilbur është një ndër ata amerikanë që po kapërcejnë ngurimin ndaj vaksinave, numri i të cilëve sa vjen dhe rritet. Pas një pauze në vaksinime këtë verë, shumë njerëz tashmë po kërkojnë të imunizohen mes njoftimesh për një rritje të konsiderueshme të rasteve të rënda të sëmundjes që kanë çuar në shtrime në spital apo vdekje.

Sipas njoftimeve në media, rritja e numrit të vaksinimeve ka qenë veçanërisht e dukshme në shumë shtete jugore, mes tyre Karolina e Veriut, Xhorxhia, Alabama dhe Tenesi, ku përqindja e njerëzve që kanë marrë të paktën një dozë të saj, ka qenë shumë më poshtë mesatares kombëtare prej 60 për qind.

Në Karolinën e Veriut për shembull, dozat e para të marra në një javë u dyfishuan mes 7 korrikut dhe 16 gushtit, nga 39,288 në 87,080, sipas të dhënave të Departamentit të Shëndetësisë së këtij shteti.

Shani Reel, 23 vjeç, një banore e Sharlot, e cila sapo ka marrë dozën e saj të dytë të vaksinës këtë javë, i tha Zërit të Amerikës se "padyshim rritja e rasteve me variantit delta ishte ajo që e shtyu të vaksinohej".

Varianti delta ka goditur rëndë zonën e Sharlotë që është brenda qarkut Meklenburg. Sipas faqes së internetit të këtij qarku mesatarja 14 ditore e rasteve me COVID u dyfishua afërsisht gjatë muajit të kaluar, nga 288 raste të konfirmuara që nga 28 korriku në 564 në 25 gusht.

Dr Tracei Ball, i tha Zërit të Amerikës se vazhdon të jetë shumë e rëndësishme që edhe më shumë njerëz të vaksinohen.

"Ne jemi përsëri në një normë rastesh pozitive prej 15 për qind, sikurse ishim në janar", thotë zonja Ball, duke iu referuar përqindjes jashtëzakonisht të lartë të njerëzve të testuar pozitivë për koronavirus në këtë qytet.

Zonja Ball punon si mjeke për Shoqatën e Mjekëve të Shteteve të Veriut (ONSMS), një organizatë jofitimprurëse e themeluar nga afro-amerikanët e Karolinën e Veriut me qëllim ofrimin e shërbimeve mjekësore për komunitetet që tradicionalisht kanë më pak qasje.

Simmons, 32 vjeç, ndërsa ka inkurajuar të dashurën dhe nënën e tij të vaksinohen, vetë ishte ngurrues.

"Kam dëgjuar që sëmuresh për disa ditë pas marrjes së dozës dhe nuk dua të më ndodhë pasi kam fëmijë e një familje për të mbajtur. Nuk mund të marr pushim papritur nëse ndodh diçka", shpjegon ai.

“Por më vonë do vaksinohem. Numrat janë të lartë dhe aktualisht nuk e kam luksin as të infektohem nga virusi”, thotë ai.

Në disa pika vaksinimi ofrohen incentiva në para për ata që vaksinohen, të cilat mund të jenë bindëse për shumë nga ata me të ardhura të ulëta.

Zëri i Amerikës foli me një punonjëse në një nga qendrat e vaksinimit Shay, 39 vjeç, e cila nuk pranoi të jepte mbiemrin e saj. Ndërsa ishte e lumtur që njerëzit u shfaqën në masë për t'u vaksinuar, ajo tha se ata nuk duhet ta bëjnë këtë vetëm për shkak të parave.

"Njerëzit duhet të vijnë këtu pavarësisht se çfarë do të marrin, ta bëjnë këtë për sigurinë e tyre, të të dashurve të tyre….nënës, fëmijëve, të gjithë komunitetit. Nuk ka kuptim të infektohesh e t’ua shpërndash të tjerëve", tha Shay për Zërin e Amerikës.

"Por në fakt jam e lumtur për pjesëmarrjen e madhe”, tha ajo.

Si klinikat StarMed dhe organizata ONSMS do të vazhdojnë të mbajnë të hapura pika të vaksinimi masiv në vende të ndryshme në të gjithë zonën e Sharlot, duke ofruar vaksinën e Pfizer-it dhe Modernës me dy doza. StarMed do të ketë në dispozicion dhe vaksinën me një dozë të Johnson & Johnson.Zonja Ball tha për Zërin e Amerikës se detyrë e saj është gjithashtu edhe ndarja e informacionit.

"Një pjesë e arsyeve se pse jemi këtu është që t'u përgjigjemi pyetjeve. Shumë njerëz kanë pasiguri", thotë ajo. “Është një përpjekje kokë më kokë. Ka vlerë edhe nëse ne ia dalim të bindim qoftë dhe një person vetëm të vaksinohet”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat