Pas përfundimit të luftës në Afganistan, dy veteranë amerikanë reflektojnë

Amerika

Pas përfundimit të luftës në Afganistan, dy veteranë amerikanë reflektojnë

Më: 3 shtator 2021 Në ora: 19:48
Ushtria amerikane

Në 2002, gazetari i Zërit të Amerikës, i cili në atë kohë ishte reporter për ushtrinë amerikane, vizitoi Afganistanin në fazat e para të luftës 20-vjeçare që do të zhvillonin Shtetet e Bashkuara në atë vend. Në pjesën e dytë të ciklit që ai ka përgatitur në 20 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, ai ka intervistuar disa nga ushtarakët që takoi dy dekada më parë, për të diskutuar mbi gjurmën historike dhe rëndësinë e luftës që sapo përfundoi:

Gazetari Kane Farabough u dërgua në Afganistan në 2002 për të parë nga afër kushtet dhe frymën e përgjithshme të trupave amerikane, të cilat për herë të parë atë vit po festonin Ditën e Pavarësisë me misione luftarake kundër Al-Kaidës.

Kolegu i tij Dan Millbauer, gazetar për ushtrinë dhe gjithashtu toger, e shoqëroi në këtë mision:

“Kur futesh në Afganistan me një avion ushtarak në mes të natës që t’u shpëtosh sulmeve të ekstremistëve dhe kur avioni bën një zbritje mjaft të komplikuar, e kupton se je në një vend të rrezikshëm,” tregon ish-togeri Millbauer.

Në atë kohë, afro 10,000 forca amerikane ishin dërguar në këtë rajon të rrezikshëm, shumë prej tyre të dislokuar në Bazën Bagram në aeroport, që shumë shpejt u shndërrua në një ndër objektet më të mëdha ushtarake të Shteteve të Bashkuara në botë.

Rhonda Lawson ishte e stacionuar në Bagram si pjesë e njësisë së marëdhëneve publike të ushtrisë. Ekipi i saj nxirrte një gazetë dhe publikime të tjera për të mbajtur trupat të informuara.

“Ajo që më bënte më krenare është kur pasqyronim historitë e ushtarëve. Kishim plot materiale që flisnin për misionin, por doja gjithashtu që të pasqyroja realitetin e ushtarëve tanë, pasi janë njerëz, kanë familje, kanë ndjenja,” thotë veterania.

Trupat amerikane merrnin edhe mesazhe nga familjet që u përcillnin krenarinë e tyre për misionin që po kryenin.

“Një nga kartolinat që na erdhi thoshte thjesht ‘Bjerini Bin Ladenit’. Pra njerëzit ishin të bindur se duhet të kishte shpagim,” kujton zonja Lawson.

U desh pothuajse një dekadë që të gjendej Bin Ladeni. As zonja Lawson dhe as të tjerët, me të cilët bisedoi gazetari Farabough nuk e mendonin në 2002 që kjo do të bëhej lufta më e gjatë e Amerikës.

“Operacioni kundër Sadam Huseinit në 1991 përfundoi brenda gjashtë javësh. Njerëzit mendonin se edhe ndërhyrja në Afganistan do të ishte e tillë,” thotë zonja Lawson.

“Shumë prej nesh mendonim se operacionet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit do të ishin të shpejta dhe të përkohshme,” kujton veterani Millbauer.

Ish-togeri Millbauer u kthye në Afganistan për një tur të dytë shërbimi ushtarak në 2003, këtë radhë në njësinë e operacioneve psikologjike.

“Synimi ishte të përhapnim informacion në mënyrë strategjike,” shpregon ai.

Zoti Millbauer thotë se vuri re ndryshime në aerodromin e Bagramit kur u kthye në 2003.

“Kishte shumë më tepër aktivitet, më shumë njerëz. Ishte shtuar edhe numri i forcave të vendeve partnere,” thotë zoti Millbauer.

Situata në Afganistan ishte bërë edhe më e rrezikshme, tregon ai, duke kujtuar një incident të rrezikshëm gjatë një misioni në një stacion të largët radiofonik.

“Dëgjova fishkëllimën e predhës që po afrohej e më kaloi mbi kokë”.

Askush nuk u lëndua, thotë zoti Millbauer. Ai shton se reziku nuk ia ndryshoi bindjen për rëndësinë e misionit dhe fokusin për të ndihmuar banorët drejt një jete më të mirë:

“Disa prej gjërave që realizuam, Shtetet e Bashkuara dhe mbarë koalicioni, ishte furnizimi me ujë të pastër, njohuri si dhe fonde monetare që të përmirësonin jetën. Isha plotësisht në mbështetje të këtyre operacioneve,” thotë ai.

Dy veteranët, Millbauer dhe Lawson bënin pjesë në kontigjentin me më shumë se 775,000 forca amerikane që bënë të paktën një tur shërbimi ushtarak në Afganistan që nga 2001. Mbi 2300 prej tyre kanë humbur jetën. Megjithë kaosin dhe rikthimin e talebanëve në qeverisje, zonja Lawson beson se angazhimi amerikan nuk ishte pa vlerë.

“Kurrë nuk e kam konsideruar këtë luftë si të dështuar,” thotë ajo.

Për zotin Millbauer, i cili e mbylli shërbimin ushtarak në 2007, Shtetet e Bashkuara arritën në pikën kur nuk kishin më çfarë të realizonin në Afganistan.

“Gjetëm dhe eliminuam Bin Ladenin. Pas 20 vjetësh, besoj se është me vend ta mbyllim dhe t’ua lëmë afganëve të kujdesen për veten ashtu siç munden,” thotë zoti Millbauer.

Shumë afganë janë të shqetësuar nga mënyra se si do t’i trajtojnë talebanët, të cilët morën nën kontroll vendin, ndërkohë që forcat amerikane po tërhiqeshin nga Afganistani, duke i dhënë fund luftës më të gjatë amerikane./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat