Familja nju jorkeze kujton një hero të 11 shtatorit

Amerika

Familja nju jorkeze kujton një hero të 11 shtatorit

Më: 8 shtator 2021 Në ora: 19:33
Foto ilustrim

Për muaj të tërë zjarrfikësi i qytetit të Nju Jorkut Thomas Alioto ndihmoi në kërkimin e mbetjeve të viktimave pranë kullave binjake të shembura nga sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001. Zjarrfikësi u nda nga jeta dhjetorin e vitit 2019 nga një sëmundje e lidhur me 11 shtatorin. Në një bisedë me Zërin e Amerikës, bashkëshortja dhe tre vajzat e Aliotos kujtojnë heroizmin e tij.

Një fotografi e shkrepur nga një fotograf i panjohur u bë virale në mediat amerikane dhe ndërkombëtare. Një kopje e fotografisë ruhet në Memorialin dhe Muzeun Kombëtar të 11 Shtatorit. Amanda është vajza e ish-zjarrëfikësit Thomas Alioto.

"Ky këtu në gjunjë është babai ynë. Për muaj të tërë punoi tek rrënojat”.

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Alioto punoi për një kohë të gjatë në rrënojat ku dikur qëndronin kullat binjake, duke kërkuar eshtrat e të vdekurve, duke thithur substanca toksike që ndikuan në shëndetin e tij. Angela Alioto është bashkëshortja e zjarrfikësit të ndjerë.

“Mushkëritë e tij ishin të mbushura me copa qelqi dhe tymi të zi. Ai u shua pak nga pak.”

Mjekët thanë se atij i kishin mbetur më së shumti 10 vite jetë, por ai jetoi 18 vjet, thotë vajza e tij Amanda.

“Ai ishte një luftëtar, por 11 shtatori kurrë nuk u largua nga ai, u bë një me të. Përsëri do të bënte të njëjtën gjë”.

Tre vajzat e Aliotos e kanë të vështirë të kujtojnë atë ditë të tmerrshme. Amanda ishte 10, Ashley ishte 6 dhe Alyssa 4 vjeçe.

Angela Alioto i mori dy vajzat më të mëdha nga shkolla më herët se zakonisht atë ditë dhe shkuan tek miqtë e tyre. Shumë fqinjë të tyre gjithashtu kishin pjestarë të familjes që ishin zjarrfikës.

"Të gjitha nënat qanin duke ndjekur ngjarjet në televizion.Sapo pashë zjarrfikëset kisha një ndjenjë se im atë ishte aty”, thotë vajza e tij Amanda.

Mëngjesin e 11 shtatorit Thomas Alioto po shkonte në shtëpi pasi përfundoi turnin e natës. Pasi mësoi se avioni i parë goditi kullën,ai u kthye mbrapsht dhe shkoi drejt Qendrës Botërore të Tregtisë. Ai pothuajse vdiq nën kullën veriore që po shembej. Për orë të tëra luftoi për të dalë nga rrënojat dhe pastaj në kërkim të mbijetuarve mes rrënojave, mbeturinave dhe tratëve metalikë gjigandë.

“Ai mendoi se kishte vdekur. Mbaj mend që më tha se nuk ndjente asgjë; ai mendoi se diçka po e kafshonte. Nuk mund ta shpjegoj, ishte gjakosur brenda çizmeve të tij...”, kujton bashkëshortja.

Në vitin 2006, për shkak të problemeve shëndetësore Aliotos iu desh të linte punën.

"Ne jetuam pak më ndryshe se fëmijët e tjerë përreth nesh. Në të vërtetë ata nuk e kuptonin…Babai ynë nuk u kthye në shtëpi i njëjti person që ishte. Ai ishte një person krejtësisht i ndryshëm”, thotë për Zërin e Amerikës vajza Amanda.

Ashley dhe Amanda u bënë mësuese - si nëna e tyre. Alioto u përpoq të bindte vajzën e vogël Alyssa që të bënte të njëjtën gjë. Por ajo zgjodhi një karrierë në polici – gjë që e bëri babain e saj jashtëzakonisht krenar. Pak para diplomimit të saj nga akademia, Alyssa dhe disa nga kolegët e saj shkuan në Memorialin dhe Muzeun Kombëtar të 11 Shtatorit, një traditë e policëve të Nju Jorkut. Ajo tregon për Zërin e Amerikës bisedën e fundit me babain e saj.

“I dërgova me tekst foton e një helmete. Më pyeti se çfarë shkruhej. Pastaj më tha kërko për Mike Espositon, mikun e ngushtë të tij, të cilin e humbi atë ditë. Më dërgoi foton e tij dhe i thashë se do përpiqesha ta gjeja. Pastaj më tha, a mund të vish sonte të çmallemi? I thashë po. Kjo bisedë ndodhi me 17 dhjetor 2019 në 2 pasdite. Kjo ishte hera e fundit që fola me të. Disa orë më vonë ai humbi betejën...”

Çdo gjë në shtëpi u kujton vajzave dhe Angelas njeriun e tyre të shtrenjtë.

“Ende mund ta nuhas tymin. Më bën të ndihem sikur babai im është këtu”, thotë e bija Ashley.

Ky është përvjetori i dytë në shtëpinë e tyre pa praninë e tij. Një kryq metalik që ai gjeti nën rrënjojat e kullave binjake qëndron pranë helmetës së tij. Në fotografinë e diplomimit Alyssa ka kopjuar fytyrën e babait të saj, që u nda nga jeta gjashtë ditë para ceremonisë. Por në foto, ata janë së bashku. Madje zëri i tij mund të dëgjohet në një regjistrues të vogël të fshehur brenda lodrave që ende thotë fjalët që familja e tij ka dëgjuar shumë herë.

“Mirë ... të dua ... Mirupafshim… ”/VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat