Debat mbi ngritjen e tavanit të borxhit në SHBA

Amerika

Debat mbi ngritjen e tavanit të borxhit në SHBA

Më: 29 shtator 2021 Në ora: 19:33
Janet Yellen

Sekretarja amerikane e Thesarit Janet Yellen thotë se qeverisë amerikane ka të ngjarë t’i mbarojnë fondet për të paguar faturat më 18 tetor, nëse nuk ngrihet tavani i borxhit të vendit.

Sekretarja Yellen i njoftoi udhëheqësit e Kongresit të martën.

"Është e domosdoshme që Kongresi të trajtojë çështjet e kufirit të borxhit. Nëse jo, vlerësimi ynë aktual është se Thesari ka të ngjarë të mbetet me burime shumë të kufizuara, që do të ezaurohen shpejt. Do të ishte hera e parë në histori, që Amerika do të dështonte me pagesat. Besimi dhe reputacioni i Shteteve të Bashkuara do të dëmtoheshin dhe si rezultat vendi ynë ka të ngjarë të përballet me një krizë financiare dhe recesion ekonomik ", tha ajo.

Udhëheqësi i shumicës demokratike në Senat, Chuck Schumer u përpoq të martën vonë, por pa sukses, të fitonte mbështetje unanime në Senat, që rritja e tavanit të borxhit të bëhej me një votim me shumicë të thjeshtë, dhe jo me 60 vota pro, siç është rasti për ligje të rëndësishme në Senatin prej 100 vendesh.

Në një votim të hënën republikanët hodhën poshtë rritjen e tavanit të borxhit, që do të kishte shmangur edhe një mbyllje të pjesshme të qeverisë, që rrezikohet të ndodhë duke filluar të premten. Republikanët thonë se do të mbështesnin votimin më vete të buxhetit për të mbajtur të hapur qeverinë, por jo nëse ai përfsihet në të njejti legjislacion si ngritja e tavanit të borxhit.

Përveç debatit mbi tavanin e borxhit, Kongresi është në mes të diskutimeve mbi planin e demokratëve të shpenzimeve për programet sociale, prej 3.5 trilionë dollarësh, që asnjë nga republikanët nuk e mbështet.

Ndprsa një plan tjetpr për infrastrukturën, prej 1 trilion dollarësh, për të riparuar rrugët dhe urat në vend dhe për të zgjeruar shërbimin e internetit të shpejtë, ka më shumë mbështetje dypartiake. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi ka planifikuar një votim të enjten mbi legjislacionin për infrastrukturën, të cilin Senati tashmë e ka miratuar./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat