Dhoma e Përfaqësuesve voton për ta dërguar çështjen e zotit Bannon në Departamentin e Drejtësisë

Amerika

Dhoma e Përfaqësuesve voton për ta dërguar çështjen e zotit Bannon në Departamentin e Drejtësisë

Më: 22 tetor 2021 Në ora: 18:01
Steve Bannon

Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara votoi të enjten me 229 vota pro dhe 202 kundër për ta mbajtur ish këshilltarin e Presidentit Trump Steve Bannon, përgjegjës për refuzimin e tij për të bashkëpunuar në një hetim të Kongresit për dhunën e 6 janarit në Kapitol. Përmes këtij vendimi, Dhoma e Përfaqësuesve çështjen e zotit Bannon e dërgon për shqyrtim në Departamentin e Drejtësisë.

Dhoma e Përfaqësuesve debatoi për çështjen e zotit Bannon për më shumë se një orë para votimit. Demokratët në komisionin hetues argumentuan se zoti Bannon nuk duhet të lejohet të injorojë kërkesën e tyre për të dëshmuar mbi zhvillimet më 6 janar. Bennie Thompson, Kryetar i Komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve për 6 Janarin

"Zoti Bannon është i vetmi që ka refuzuar kërkesën tonë për të dëshmuar, dhe ne nuk do ta pranojmë këtë. Ne nuk do të lejojmë askënd që ta dëmtojë punën tonë, sepse puna jonë është shumë e rëndësishme dhe ka për synim të sigurojë që e ardhmja e demokracisë amerikane të jetë e fortë dhe e sigurt", tha Bennie Thompson, Kryetar i Komisionit për hetimin e ngjarjeve të 6 janarit.

Një numër i vogël republikanësh, përfshirë ligjvënësen Liz Cheney dhe ligjvënësin Adam Kinzinger, votuan me shumicën demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve për ta dërguar në Departamentin e Drejtësisë çështjen e e zotit Bannon.

"Ai duhet të ketë qenë në dijeni dhe mund të ketë qenë i përfshirë në planifikimin e gjithçkaje që ndodhi atë ditë. Populli amerikan meriton të dijë se çfarë dinte ai dhe çfarë bëri", tha ligjvënësja Liz Cheney.Liz Cheney, ligjvënëse republikane

Përfaqësuesi republikan nga Indiana, Jim Banks votoi kundër propozimit të demokratëve, duke thënë se anëtarët e komisionit të 6 janarit "po abuzonin me pushtetin e tyre" me përpjekjen për të dërguar zotin Bannon në burg dhe akuzuan panelin për kryerjen e "një hetimi të rremë".

"Steve Bannon ishte një qytetar privat para, pas dhe gjatë ngjarjeve të 6 janarit. Pra, pse komisioni i përzgjedhur është i interesuar për zotin Steve Bannon? Kjo është e thjeshtë. Ai është një shënjestër e Partisë Demokrate", tha ligjvënësi republikan Jim Banks.

Një mbështetës i zëshëm i ish Presidentit Trump, ligjvënësi Jim Jordan nga Ohajo, tha se hetimi "në realitet synon të godasë Presidentin Trump".

Komisioni që po heton sulmin e 6 janarit votoi në fillim të kësaj jave për të ngritur akuza ndaj zotit Banon për kundërshtimin e tij për të dëshmuar, duke thënë se ai ishte dëshmitari i vetëm që kishte refuzuar të dëshmonte. Komisioni tha se zoti Bannon kishte biseduar me Presidentin Trump para trazirave dhe kishte promovuar protestën e 6 janarit, pas së cilës rreth 800 mbështetës të zotit Trump sulmuan Kapitolin./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat