Senati amerikan do të votojë të mërkurën për reformën zgjedhore

Amerika

Senati amerikan do të votojë të mërkurën për reformën zgjedhore

Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 06:16
Foto ilustrim

UASHINGTON - Senati amerikan do të votojë të mërkurën nëse do të fillojë debatin për legjislacionin që do të rikthejë mbrojtjet për votimin të rrëzuara në vitin 2013 nga Gjykata e Lartë, njoftoi të hënën kreu i demokratëve.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, tha se do të organizojë votimin procedurial për një projektligj të njohur me emërtimin Ligji John Lewis për Avancimin e të Drejtës së Votimit, marrja në shqyrtim e të cilit pritet të bllokohet nga republikanët.

Ligji i pagëzuar me emrin e të ndjerit John Lewis, udhëheqës për të drejtat civile dhe ligjvënës i hershëm, do t'u kërkonte shteteve dhe bashkive të marrin miratimin federal përpara se të ndryshojnë zonat e votimit.

Republikanët kanë bllokuar tashmë disa përpjekje të zotit Schumer për të avancuar projektligje më të gjera të reformës zgjedhore që do ta bënin më të lehtë për amerikanët votimin me postë dhe votimin e hershëm në person.

Zoti Schumer tha se Senati duhet të veprojë së shpejti në përgjigje të ligjeve kufizuese zgjedhore të miratuara nga shtetet e udhëhequra nga republikanët.

"Koha është vërtet e shkurtër që Senati të ndërmarrë veprime për të drejtën e votës", tha zoti Schumer në komentet që ndoshta mund të paralajmërojnë një lëvizjeje të demokratëve për të ndryshuar pragun prej 60 votash në Senat, i njohur si filibuster, i cili i fuqizon republikanët për t'iu bërë pengesë legjislacionit.

Image
Chuck Schumer

"Është thelbësore që ne të rivendosim mbrojtjet përpara fillimit të vitit të ardhshëm, kur shtetet do të shqyrtojnë një raund tjetër ligjesh kufizuese për të drejtën e votës", tha zoti Schumer.

Viti i ardhshëm sjell gjithashtu zgjedhjet e nëntorit për një të tretën e 100 vendeve të Senatit dhe të gjitha 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve. Të dyja dhomat kontrollohen me diferencë të ngushtë nga demokratët.

Republikanët argumentojnë se qeveria federale nuk duhet të ndërhyjë në aktivitetet zgjedhore të drejtuara nga shteti.

Por të paktën një ligjvënëse republikane, senatorja Lisa Murkowski, tha se do të votonte për të filluar debatin mbi projektligjin të mërkurën.

Demokratët janë përpjekur të tejkalojnë ligjet kufizuese të miratuara këtë vit në një numër shtetesh me legjislatura dhe guvernatorë të kontrolluar nga republikanët. Këto masa, plus të tjera në pritje, janë pjesë e një versioni republikan të ngjarjeve, se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 u përshkuan nga manipulime zgjedhore, siç ka pretenduar pa prova ish-Presidenti Donald Trump që nga viti i kaluar.

Vendime të ndryshme gjyqësore dhe vetë Departamenti i Drejtësisë i ish-Presidentit Trump nuk gjetën parregullsi thelbësore në votim për të vënë në pikëpyetje fitoren e Presidentit Joe Biden.

Shumë demokratë po i bëjnë presion zotit Schumer të ndryshojë ose të anulojë rregullin e Senatit për të lejuar që legjislacioni për të drejtën e votës të avancojë me një votim me shumicë të thjeshtë që demokratët mund ta fitonin më lehtë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat