Kongres, pritet votimi i paketave të shpenzimeve të Presidentit Biden

Amerika

Kongres, pritet votimi i paketave të shpenzimeve të Presidentit Biden

Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 16:43
Kongresi amerikan

Dhoma e Përfaqësuesve po përgatitet të debatojë dhe votojë rreth një projektligji të rishikuar shpenzimesh sociale, prej 1.85 trilionë dollarësh si dhe një tjetër pakete ligjore mbi infrastrukturën prej 1 trilion dollarësh. Miratimi i tyre për demokratët do të ishte një tregues për votuesit se partia e tyre mund t'i përmbushë prioritetet e saj.

Pas një sërë ndërhyrjesh të momentit të fundit në paketën masive të shpenzimeve, demokratët shtuan dispozita kyçe që lidhen me programet për leje me pagesë për t'u kujdesuar për fëmijët pas lindjes, për prindërit apo bashkëshortin në rast nevoje, leje pune për emigrantët dhe ndryshime tek taksat që mbahen në nivel shtetëror dhe lokal.

Votimi i projekligjeve ka gjasa të ndodhë të enjten. Demokratët po presin me ankth miratimin e këtyre paketave ligjore që pjesërisht u panë si arsye për rezultatet e dobëta në zgjedhje në ato shtete ku partia pretendonte fitore të sigurt.

Të mërkurën Presidenti Biden theksoi rëndësinë që projektligjet të vijnë në tavolinën e tij për t’u firmosur.

Të mërkurën vonë, udhëheqësi i shumicës demokrate Steny Hoyer njoftoi se votimi në Dhomës së Përfaqësuesve për projektligjin e madh të shërbimeve sociale që parashikon dhe financimin e programeve mbi ndryshimet klimatike, kishte gjasa të zhvillohej të enjten. Po kështu do të votohet edhe për paketën mbi infrastrukturës, që gëzon një mbështetje dypartiake, miratimi i së cilës kishte mbetur peng i miratimit të paketës më të madhe legjislative. Por disa ndihmës dhe ligjvënës nuk e përjashtuar mundësinë që votimi të shtyhet deri të premten.

Pas muajsh bisedimesh, demokratët po përpiqen me dëshpërim të miratojnë paketat e propozuara nga zoti Biden, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e Virxhinias për guvernator, një paralajmërim se shumica që demokratët gëzojnë në Kongres mund të jetë në rrezik në zgjedhjet për organin legjislativ që mbahen vitin e ardhshëm.

Shumica e votuesve në Virxhinia thanë se negociatat e zvarritura në Uashington mbi programin e Presidentit Biden ishin një faktor i rëndësishëm në votën e tyre, duke e hedhur fajin në Kapitol nisur nga debatet disa mujore mes demokratëve mbi detajet e paketës./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat