Zgjedhjet në Nikaragua mbyllen me rizgjedhjen e Daniel Ortegës

Amerika

Zgjedhjet në Nikaragua mbyllen me rizgjedhjen e Daniel Ortegës

Më: 8 nëntor 2021 Në ora: 15:09
Nikaragua

Qytetarët e Nikaraguas votuan të dielën në zgjedhjet presidenciale të denoncuara nga presidenti amerikan, Joe Biden, si një "mashtrim", pasi udhëheqësi Daniel Ortega i cilësoi kundërshtarët e tij - shumica prej tyre të burgosur ose në mërgim - si "terroristë".

Qendrat e votimit u mbyllën në orën 18:00, (ora 1 e të hënës sipas kohës së Evropës Qendrore) pas 11 orë votimesh nën syrin vigjilent të 30,000 policëve dhe ushtarëve, që ruanin atë që grupet e të drejtave të njeriut e përshkruan si një “klimë frike”.

Me shtatë sfidues të mundshëm presidencialë të arrestuar që nga qershori, 75-vjeçari Ortega siguroi mandatin pesë vjeçar, të katërtin me radhë dhe të pestin në në përgjithësi, me gruan dhe nënpresidenten e tij, Rosario Murillo, 70 vjeçare, pranë tij.

Daniel Ortega u përball me pesë pretendentë presidencialë, por vetëm në emër, meqë të gjithë janë bashkëpunëtorë të regjimit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha në një deklaratë se rezultati ishte "montuar” shumë kohë përpara zgjedhjeve "të rreme" të së dielës.

"Ajo që presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega dhe gruaja e tij, zëvendës presidentja Rosario Murillo, orkestruan sot, ishte një shfaqje që nuk ishte as e lirë, as e ndershme, dhe sigurisht jo demokratike", tha presidenti Biden, duke shtuar se dyshja tani drejton Nikaraguan "si autokratë".

Ish-heroi i guerilëve, Daniel Ortega, sulmoi sërish kundërshtarët e tij të dielën, duke thënë se “këtë ditë ne po qëndrojmë përballë atyre që nxisin terrorizmin, financojnë luftën, përballë atyre që mbjellin terror, vdekje".

Ai iu referua atyre që që morën pjesë në protestat masive kundër qeverisë së tij në vitin 2018, të cilat u shtypën me një goditje të dhunshme, që u mori jetën më shumë se 300 vetave në vendin më të varfër të Amerikës Qendrore.

Rreth 150 vetë janë burgosur që atëherë, përfshirë 39 udhëheqës të opozitës që u arrestuan që nga qershori në prag të zgjedhjeve të së dielës.

Rreth 100,000 nikaraguanë të tjerë kanë ikur në mërgim.

"Ata nuk donin që këto zgjedhje të mbaheshin", tha Ortega, duke i quajtur kundërshtarët e tij "terroristë" dhe "demonë që nuk duan paqe".

Frika dhe apatia kishin mbërthyer 4.4 milionë votuesit e regjistruar në vendin me 6.5 milionë banorë.

Radhë të shkurtra votuesish që mbanin maska në fytyrë, mund të shiheshin në disa nga 13,459 qendrat e votimit, por shumë ishin bosh kur u vizituan nga agjencia e lajmeve AFP.

Anëtarët e Frontit Nacional Çlirimtar Sandinist (FSLN) në pushtet të Daniel Ortegës, shkuan shtëpi më shtëpi duke thirrur qytetarët që të hedhin votën e tyre.

Qendra e Nikaraguas për të Drejtat e Njeriut (Cenidh) tha se Nikaragua ishte një "shtet policor" që përdori taktikat e "frikës (dhe) të kontrollit social" për të "shtypur opozitën".

Të dielën pati protesta në Kosta Rikë, Spanjë, Shtetet e Bashkuara dhe Guatemalë, vende ku jetojnë mijëra të mërguar nga Nikaragua.

Në Nikaragua, janë të ndaluara tubimet e më shumë se 200 personave, kinse si një masë parandaluese për shkak të koronavirusit.

Opozita në mërgim bëri thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të së dielës.

Zgjedhjet u zhvilluan pa vëzhgues ndërkombëtarë dhe shumicës së medieve të huaja iu mohua hyrja në vend. Vetëm gazetarët nga vendet që qeveria i konsideron "miqësore", si Rusia, morën akreditime.

Nga Venezuela, presidenti Nicolas Maduro, rizgjedhja e të cilit në vitin 2018 nuk njihet nga pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar, e uroi Daniel Ortegën për fitoren e tij, duke e quajtur atë një aleat kundër Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

Një marksist i zjarrtë në rininë e tij, Ortega sundoi Nikaraguan nga viti 1979 deri në vitin 1990, pas rrëzimit të diktatorit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Anastasio Somoza Debayle.

Pas kthimit në pushtet në vitin 2007, ai u rizgjodh tre herë, duke u bërë gjithnjë e më autoritar dhe duke shkelur kufijtë e mandatit presidencial.

Udhëheqës të burgosur të opozitës akuzohen për sulme të paspecifikuara ndaj "sovranitetit" të Nikaraguas, sipas një ligji të miratuar nga një parlament i dominuar nga aleatët e Ortegës, të cilët kontrollojnë gjithashtu gjyqësorin dhe organin zgjedhor, që ndaloi pjesëmarrjen në zgjedhje të aleancës kryesore opozitare.

Dy të tretat e të anketuarve së fundmi nga organizata Cid-Gallup, thanë se do të kishin votuar për një kandidat të opozitës të dielën.

E preferuara ishte Cristiana Chamorro, e bija e Violeta Barrios de Chamorro, e cila është i vetmi person që e ka mundur Ortegën në zgjedhje, në vitin 1990.

Zonja Chamorro është në arrest shtëpie dhe gjashtë kandidatë të tjerë presidencialë janë burgosur dhe mbahen në kushte që familjet e tyre thonë se paraqesin torturë.

Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë vendosur sanksione kundër anëtarëve dhe aleatëve të familjes Ortega./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat