Kubë, policia bllokon organizatorët përpara fillimit të një proteste paqësore

Amerika

Kubë, policia bllokon organizatorët përpara fillimit të një proteste paqësore

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 15:54
Kubë

Në fillim të javës policia në Kubë goditi organizatorët e një proteste në Havanë dhe shtoi praninë në rrugët e kryeqytetit duke parandaluar protesta të mëtejshme. Diaspora kubane nga ana e saj po organizon protesta kundër regjimit autokratik të ishullit në pjesë të tjera të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Rrugët e Havanës ishin të qeta të hënën ndërsa grupe banorësh u mblodhën në lagjet e tyre, parqe dhe sheshe pas dështimit të një proteste të planifikuar kundër qeverisë.

Një numër i madh policësh me uniformë dhe rroba civile u vendosën në të gjithë kryeqytetin e Kubës, në cepat e rrugëve dhe patrullonin parqet dhe sheshet e qytetit.

Udhëheqësit e grupit opozitar “Archipielago” kishin njoftuar se do të organizonin një protestë masive të quajtur "Marshi Qytetar për Ndryshim", të cilin qeveria kubane e kishte përshkruar si "kundërrevolucionare" dhe tha se ishte pjesë e një plani të ndërhyrjes nga Shtetet e Bashkuara.

Por policia rrethoi shtëpinë e udhëheqësit të grupit “Archipielago”, Yunior Garcia Aguilera, dhe ato të aktivistëve të tjerë dhe gazetarëve të pavarur një ditë më parë për të penguar pjesëmarrjen e tyre në protestën anti-qeveritare.

Ndërsa protestat u shtypën në Havana, emigrantët kubanë protestuan në rrugët e Meksiko Sitit dhe qyteteve të tjera në të gjithë Amerikën Latine për të shprehur solidaritetin me bashkatdhetarët e tyre.

“Ne po vdesim, Kuba po vdes, kjo është e vërteta, ky është realiteti i vendit tim. Unë nuk jam politikane, nuk kam dalë kurrë për të protestuar, por tani po protestoj. Kjo është dhimbje dhe zemërim. Ne nuk kemi frikë. Regjimi do të bjerë herët a vonë dhe ne presim vetëm drejtësi dhe jo hakmarrje”, tha një protesuese që nuk pranoi të identifikohej.

Protesta u zhvilluan edhe në Majami të Floridës, ku jeton një numër i madh i emigrantëve kubanë, si dhe para ambasadës së Kubës në Uashington.

Tubimet në Havana pritej të ishin një vazhdim i protestave paqësore të organizuara në korrik, që përfunduan me një shtypje masive nga policia dhe njësitë ushtarake kubane dhe arrestimin e mijëra protestuesve. Shumë prej tyre ende përballen me akuza që lidhen me pjesëmarrjen e tyre në protestën paqësore./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat