Në pritje të ndëshkimit të ligjvënësit republikan

Amerika

Në pritje të ndëshkimit të ligjvënësit republikan

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 15:57
Paul Gosar

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë sot për të ndëshkuar ligjvenësin republikan Paul Gosar, i cili postoi në mediat sociale një video të animuar, që e tregon atë duke goditur me shpatë një anëtar tjetër të Kongresit dhe më pas duke sulmuar Presidentin Biden.

Ligjvenësi Gosar po ashtu mund të përjashtohet nga dy komisione të Kongresit ku shërben aktualisht.

Zoti Gosar e postoi videon e animuar në fillim të muajit. Duke iu përgjigjur kritikave, ai tha se videoja nuk synonte dhunë, por ishte një “mënyrë simbolike për të portretizuar betejën lidhur me politikën e imigracionit”.

Në një prej skenave të videos, një personazh, që ka fytyrën e ligjvenësit Gosar, godet me shpatë në qafë një personazh që ka fytyrën e ligjvenëses demokrate Alexandria Ocasio-Cortez.

Në një botë ideale ai duhej të përjashtohej nga Kongresi, u tha gazetarëve dje ligjvenësja Ocasio Cortez, por ne nuk jemi në një botë ideale, kështu që masa ndëshkimore dhe përjashtimi nga dy komisionet janë të mjaftueshme, tha ajo.

Disa republikanë i kritikuan kolegët e tyre demokratë, që kërkuar ndëshkimin e ligjvenësit, duke lënë të kuptohet se ndaj tyre mund të ketë pasoja nëse republikanët marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Po këtë vit, Dhoma e Përfaqësuesve ndëshkoi një tjetër republikan, ligjvenësen Marjorie Taylor Green për përhapje të gjuhës së urrejtjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat