​SHBA miraton dozën e tretë Pfizer për moshat 16-17 vjeç

Amerika

​SHBA miraton dozën e tretë Pfizer për moshat 16-17 vjeç

Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 19:24
Foto ilustrim

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi sot një dozë përforcuese të vaksinës kundërCOVID-19 nga Pfizer dhe BioNTech për moshat 16 dhe 17-vjeç, pasi zyrtarët shëndetësorë i bënë thirrje publikut të marrë një vaksinë shtesë për shkak të shqetësimeve për variantin ri Omicron.

Miratimi emergjent, i lëshuar sot nga FDA, i lejon popullatës në këtë moshë të marrë vaksinën e tretë të paktën gjashtë muaj pas marrjes së vaksinës së dytë, raporton Reuters.

Rreth 4.7 milionë 16 dhe 17-vjeçarë në Shtetet e Bashkuara janë vaksinuar plotësisht dhe më shumë se 2.5 milionë prej tyre kanë marrë një dozë të dytë gjashtë muaj më parë, dhe të gjithë qytetarët e rritur amerikanë kanë të drejtë për një dozë përforcuese nga tri vaksinat e miratuara.

Disa shkencëtarë amerikanë kanë shprehur shqetësimin për vaksinimet shtesë për këtë grup-moshë për shkak të rritjes së rrezikut të rasteve të rralla të miokardit tek të rinjtë, të cilat shoqërohen me vaksinat mRNA si ajo e Pfizer dhe BioNTech.

Miratimi i FDA vjen një ditë pasi këto kompani publikuan të dhëna që sugjerojnë se dozat e treta të vaksinës së tyre mund të jenë çelësi për mbrojtjen kundër llojit të ri të virusit korona omicron.

Numri i infeksioneve të reja në Shtetet e Bashkuara u rrit nga një mesatare prej pothuajse 95.000 në ditë, sa ishte më 22 nëntor, në rreth 119.000 në ditë këtë javë, dhe shtrimet në spital u rritën me 25 për qind krahasuar me një muaj më parë, raporton AP.

Rritja është pothuajse tërësisht për shkak të variantit delta, pasi Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) deri më tani ka identifikuar më pak se 100 raste të omicron në SHBA, por pritet të rritet në javët dhe muajt e ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat