Përgatitjet për Paradën e Trëndafilave në Kaliforni

Amerika

Përgatitjet për Paradën e Trëndafilave në Kaliforni

Më: 31 dhjetor 2021 Në ora: 17:32
Foto ilustrim

Vullnetarët po punojnë në zbukurimin e platformave lëvizëse me lule për Paradën e Trëndafilave, një traditë e përvitshme amerikane që filloi në vitin 1890. Platformat lëvizëse me objekte të ndryshme me lule do të zbukurojnë me një larmi ngjyrash rrugët e qytetit të Pasadenës në Kaliforni, në ditën e parë të Vitit të Ri. 

Në paradë do të ketë marshime të orkestrave muzikore dhe parakalime me kuaj, por pjesa më e vaçantë e saj do të jenë platformat lëvizëse të zbukuruara nga vullnetarët me lule, fara, lëvore dhe lëndë të tjera bimore. 

Parada shënon fundin e një viti të vështirë dhe jep urimin për fillimin e një viti më të mirë. Parada u anulua në vitin 2021 për shkak të koronavirusit, por duke respektuar masat kufizuese ajo do të rifillojë në vitin 2022. 

“Ne jemi të gëzuar që po rikthehet parada. Vullnetarët po kthehen dhe duan të jenë së bashku për të parë njerëzit, miqtë dhe për të krijuar miqësi të reja”, thotë zëdhënësi i kompanisë Fiesta Floats, Stefan Pollack.

Në disa zona afër Los Anxhelosit po bëhen zbukurimet e fundit të platformave lëvizëse që do të shfaqen në Paradën e Trëndafilave. Ato përfaqësojnë qytete, shtete, dhe organizata të ndryshme nga i gjithë vendi. Njëra prej tyre nga Luiziana do të jap mesazhin se shteti jugor amerikan është i përgatitur për të mirëpritur turistë në vitin 2022. 

Një tjetër nga Fondacioni AIDS i Kujdesit Shëndetësor shikon drejt një të ardhmeje më të mirë, duke shfaqur një infermiere robotike që inkurajon njerëzit të marrin vaksinën kundër COVID-19. 

“Ky mesazh i drejtohet publikut të gjerë dhe veçanërisht udhëheqësve botërorë, dhe kompanive farmaceutike që prodhojnë këto vaksina që shpëtojnë jetë”, thotë Ged Kenslea nga Fondacioni AIDS i Kujdesit Shëndetësor. 

Duke bërë thirrje për një shpërndarje më të barabartë të vaksinave për vendet e botës në zhvillim, tema e paradës së këtij viti është "Ëndërro, Beso, Sukses" dhe i kushton vëmendje arsimit. Një platformë lëvizëse që do të shfaqet në paradë thekson përpjekjet për t’u mësuar njerëzve shkrim-lexim, duke shfaqur një gjel, zogj dhe libra, shpjegon zëdhënësja e kompanisë postare UPS Store, që ka financuar këtë projekt.

“Ne kemi një partneritet me Fondacionin “Marine Toys for Tots Literacy” që nga viti 2008, dhe që nga ajo kohë ne kemi mbledhur mbi 44 milionë dollarë fonde për libra për fëmijë”, thotë Casey Sorrell nga kompania “UPS Store”.

Një platformë lëvizëse e quajtur Guximi për të Shpresuar nga organizata “Donate Life” nderon ata që dhurojnë organe për shpëtimin e njerëzve të tjerë, një pjesë e të cilëve kanë qenë viktima të aksidenteve. 

“Njerëzit, shumica vullnetarë, që po dekorojnë këtë platformë kanë qenë të përfshirë në dhurimin e organeve. Shumë prej tyre janë familjar të atyre që kanë dhuruar organet e tyre, domethënë, ata kanë humbur një të dashur, por patën guximin, me të vërtetë, të lejojnë që organet e të dashurve të tyre të përdoren për t’i shpëtuar jetën dikujt tjetër”, thotë Mike Thompson nga organizata “Donate Life”. 

Ndërsa përhapin një mesazh për të ndihmuar të tjerët, këta vullnetarë po i japin ngjyrë një tradite amerikane, Paradës së Trëndafilave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat