Pendim, por edhe indinjatë, nga të dënuarit për sulmin ndaj Kapitolit

Amerika

Pendim, por edhe indinjatë, nga të dënuarit për sulmin ndaj Kapitolit

Më: 6 janar 2022 Në ora: 16:35
Gjatë sulmit ndaj Kapitolit më 6 janar 2021

Mbi 725 persona janë arrestuar, që nga sulmi ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara më 6 janar të vitit të kaluar, që synonte përmbysjen e fitores së Joe Biden-it në zgjedhje. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti, një vit më vonë, disa nga pjesëmarrësit në trazira, që janë dënuar për një sërë shkeljesh penale, po flasin për atë ditë dhe veprimet që ata ndërmorën.

Nga mijëra mbështetësit e ish-Presidentit Trump që sulmuan Kapitolin, mbi 725 janë arrestuar dhe ndaj tyre janë ngritur akuza penale.

Banori i Floridës, Robert Scott Palmer, ka marrë dënimin më të rëndë deri më tani – mbi pesë vite burgim, pasi sulmoi me armë të rrezikshme punonjës të policisë.

Ai u pa në filmime ndërsa spërkaste oficerët e policisë me një fikëse zjarri dhe në vazhdim i godet me të. Një intervistë e planifikuar me të nga Zëri i Amerikës nuk u realizua për shkak se ai gjendet në karantinë pasi u infektua me COVID-19.

Në një letër drejtuar gjykatësit, përpara se të merrte dënimin, zoti Palmer fajësoi ish-Presidentin Donald Trump dhe këshilltarët e tij. Ai shkruante: “Ata vazhduan të na jepnin një version të rremë për zgjedhje të vjedhura dhe se ishte detyra jonë për t’i bërë ballë tiranisë”.

Një tjetër pjesëmarrës në trazira, po nga Florida, Felipe Marquez, thotë se historitë e rreme për trafikim të qenieve njerëzore, e shtynë t’i bashkohej turmës dhe të hynte me forcë në zyrën e një senatori.

Zoti Marquez pranoi fajësinë dhe u dënua me 18 muaj me kusht. Ai i tha Zërit të Amerikës në një email se: “Do të doja ta lija në të kaluarën time, si një gabim”.

“Po përpiqesha të bëhesha më i njohur për pikëpamjet e mia konservatore dhe të merrja më shumë klikime në YouTube. Por, mënyra si rrodhën ngjarjet atë ditë, ishte e tmerrshme”, thotë ai.

Jon Lewis, me programin mbi ekstremizmin në Universitetin George Washington, po ndjek secilin nga rastet e personave që sulmuan Kapitolin.

“Këtu ka të akuzuar nga 18 deri në 80 vjeç. Ka individë nga të gjitha profesionet, që nga pronarë sallonesh bukurie dhe deri tek zjarrfikësa, oficerë të organeve të zbatimit të ligjit, apo ushtrisë”, thotë ai.

Mbi 80% u akuzuan nga provat e mbledhur nëpër mediat sociale, shpesh edhe nga llogaria e tyre.

I tillë është rasti i Jennifer Ryan, e cila u bë e njohur pasi publikoi në Twitter fotografinë e saj përpara një dritareje të thyer, ndërsa mesazhi që shkruajti ishte: “Sapo iu turrëm Kapitolit. Ishte një nga ditët më të mira të jetës time”.

Ajo gjithashtu shkruajti po në Twitter më vonë, se nuk do të futej në burg pasi ishte bjonde dhe e bardhë.

Por kur po largohej nga godina e gjykatës pasi pranoi fajësinë dhe u dënua me 60 ditë burgim, ajo foli ndryshe.

“Hyra brenda Kapitolit për dy minuta dhe më vjen keq për këtë”, tha ajo.

Zonja Ryan pretendon se e pësoi për shkak të mesazheve të saj në Twitter dhe jo prej veprimeve të saj tek Kapitoli.

“Jam penduar që shkruaja në Twitter. Por, është një vend i lirë”, tha ajo.

Disa të akuzuar të tjerë, si Yvonne St Cyr, nuk pendohen.

“I dal për zot veprimeve të mia. Vazhdoj të besoj se bëra gjënë e duhur”, thotë ajo.

Të tjerët nuk komentojnë për rastin e tyre, ndër ta edhe personi që vendosi këmbët mbi tavolinën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dhe që akuzohet se vodhi një pjesë të korrespondencës së saj. Në vend të kësaj, Richard Barnett, ndaj të cilit janë ngritur tashmë shtatë akuza, ankohet për kushtet e burgut, si mbajtja në izolim.

“Mund të më doni, apo të më urreni. Mund të më pëlqeni mua dhe të urreni atë çfarë unë bëra. Mund të mos ju pëlqejë asgjë nga unë, por duhet ta lini këtë mënjanë, pasi nuk ka të bëjë vetëm me mua. Kjo ka të bëjë me sistemin tonë të burgjeve federale në Amerikë dhe me çfarë po u bëjnë njerëzve”, thotë ai.

Deri më tani janë shmangur gjyqet, pasi të akuzuarit kanë pranuar fajësinë, ndonjëherë në këmbim të dënimeve më të ulëta. Sipas ekspertëve, për qindra çështjet që vazhdojnë, do të duhen vite që të zhvillohet një proces gjyqësor./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat