Shtimi i infektimeve detyron disa universitete të kthehen tek arsimimi virtual

Amerika

Shtimi i infektimeve detyron disa universitete të kthehen tek arsimimi virtual

Më: 8 janar 2022 Në ora: 19:56
Pak nxënës shihen tek godina e Universitetit të Nju Jorkut

Ndërsa shtimi i rasteve të infektimeve me koronavirus ka shkaktuar shqetësime të mëdha në Shtetet e Bashkuara, një numër universitetesh në Kaliforni kanë anuluar mësimet në auditore dhe janë rikthyer tek arsimimi virtual. Gazetarja e Zërit të Amerikës Khrystyna Shevchenko foli me disa studentë ndërkombëtarë lidhur me vështirësitë e të mësuarit gjatë pandemisë.

Shumica e studentëve të universitetit të Kalifornisë ishin të lumtur t'i riktheheshin mësimit personal në vjeshtë. Por shtimi i rasteve me variantin Omicron ka detyruar shumë universitete në Kaliforni që të rikthehen tek mësimi nga distanca.

Derek, i cili është nga Kina, jeton në kompleksin e Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos. Ky është viti i dytë që ai studion antropologji, por deri tani ai ka qenë në klasë vetëm për një semestër, thotë ai për Zërin e Amerikës:

Më pëlqen shumë të jem në auditor me të gjithë. Më pëlqen shoqëria, dhe aspektet sociale. Më pëlqen të shkoj nga një klasë tek tjetra. Ndihem më i motivuar për të studiuar kur jam në kampus dhe ndjej se po mësoj më shumë gjëra se sa kur jemi virtualisht”.

Por tani, Derek sikurse mijëra studentë të tjerë, do të kthehet në dhomën e tij për t'u ulur para ekranit të kompjuterit.

“Nëse dy semestrat e tjerë do të jenë virtualisht, atëherë deri kur të diplomohem, do të kem kaluar vetëm një të katërtën e shkollimit në kampus. Mendoj se është shumë e trishtueshme”, thotë për Zërin e Amerikës studenti nga Kina.

21 vjeçari, John-i, jeton me studentë të tjerë në një shtëpi të përbashkët. Ai tha për Zërin e Amerikës se ata u ndjenë jashtëzakonisht të stresuar kur mësuan se mësimi do të bëhej nga distanca:

Nuk mësohet kështu. Ju nuk mësoni asgjë. Gjysma e kohës të shkon në rrjetin Zoom dhe ndërkohë sillesh vërdallë.”

Deri më tani, shtatë universitete të Kalifornisë, mes tyre Stanford-i dhe Universiteti i Kalifornisë Jugore, kanë njoftuar se po kalojnë tek mësimi virtual.

Universitetet do të kërkojnë prova të vaksinës përforcuese nga të gjithë studentët që kthehen në klasë. Por vaksina përforcuese nuk i shqetëson studentët aq sa i shqetëson kostoja e arsimimit. Si student i huaj, Derek paguan afro 40 mijë dollarë në vit për shkollimin. Por ai thotë se arsimi përmes internetit nuk duhet t’i kushtojë atij kaq shumë:

“Nuk mendoj se është plotësisht e drejtë që ne po paguajmë kaq shumë.”

Zëri i Amerikës i ka drejtuar pyetje Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos dhe Universitetit të Kalifornisë Jugore nëse kanë shqyrtuar mundësinë e uljes së kostos së shkollimit për studentët që arsimohen virtualisht, por nuk ka marrë përgjigje.

Për momentin, universitetet po planifikojnë të zhvillojnë kurse online vetëm për disa javë. Një lajm i mirëpritur për shumë studentë, thotë John:

Edhe nëse i kushton një vëmendje shumë të madhe, nuk është njëlloj si të jesh në një klasë.”

Shumë studentë atje duan që të rikthehen në auditore./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat