Biden: Rusia nuk ka larguar asnjë nga trupat, kjo është ajo që do të bëjë në Ukrainë

Amerika

Biden: Rusia nuk ka larguar asnjë nga trupat, kjo është ajo që do të bëjë në Ukrainë

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 16:20
Presidenti amerikan, Joe Biden, duke folur për krizën në Ukrainë më 15, 2022

(E plotësuar 17:25) - Presidenti Joe Biden tha të enjten se janë të “gjitha shenjat” se Rusia po planifikon të ndërhyjë në Ukrainë. Zoti Biden tha se rreziku i një sulmi rus ndaj Ukrainës është shumë i lartë.

“Ata nuk kanë larguar asnjë nga trupat, kanë dërguar më shumë trupa. Kemi arsye të besojmë se po angazhohen në një operacion për të krijuar pretekst për të ndërhyrë. Të gjitha shenjat tregojnë se ata janë gati të ndërhyjnë në Ukrainë, të sulmojnë Ukrainën”, tha Presidenti Biden.

Zoti Biden udhëzoi Sekretarin e Shtetit Antony Blinken të ndryshonte planet e tij të udhëtimit në minutën e fundit për të folur në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Ukrainën.

Ndërkohë Departamenti i Shtetit tha se Rusia ka urdhëruar zëvendës shefin e misionit amerikane në Moskë, Bart Gorman, të largohej nga vendi.

Departamenti i Shtetit e cilësoi këtë masë një veprim "të paprovokuar" dhe "një hap përshkallëzues". Rusia nuk ka dhënë detaje se përse po e dëbon zotin Gorman.

***

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të enjten se ekziston një rrezik “shumë i lartë” që Rusia ta pushtojë Ukrainën dhe kjo mund të ndodhë brenda “disa ditësh”.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë fakte të tërheqjes së pretenduar të Rusisë të forcave përgjatë kufirit të saj me Ukrainën.

Biden u tha gazetarëve në Uashington se “çdo tregues që kemi është se ata janë të përgatitur të shkojnë dhe ta sulmojnë Ukrainën”.

Rusia tha të mërkurën se po tërhiqte disa trupa të vendosura afër kufirit me Ukrainën, por NATO deklaroi se nuk po sheh shenja të një tërheqjeje.

Të mërkurën, Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi një video që tregon një ngarkesë treni me automjete të blinduara duke lëvizur nëpër një urë larg Krimesë, gadishullit të Detit të Zi që Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.

Rusia ka grumbulluar rreth 150,000 trupa në lindje, veri dhe jug të Ukrainës, duke shkaktuar shqetësime se po planifikon një sulm.

Moska mohon se ka ndonjë plan të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat