Senati pritet të konfirmojë gjykatësen Jackson në Gjykatën e Lartë

Amerika

Senati pritet të konfirmojë gjykatësen Jackson në Gjykatën e Lartë

Më: 7 prill 2022 Në ora: 20:11
E emëruara për anëtare të Gjykatës së Lartë, Ketanji Brown Jackson, duke bërë betimin përpara dëshmisë në Komisionin e Senatit për Gjyqësorin (21 mars 2022)

Senati pritet të konfirmojë të enjten të emëruarën nga Presidenti Biden për anëtare në Gjykatën e Lartë, gjykatësen Ketanji Brown Jackson. Ajo do të jetë gruaja e parë afrikano-amerikane që do të bëhet anëtare e gjykatës më të lartë amerikane dhe Presidenti Joe Biden do të marrë kështu mbështetje dypartiake për këtë përzgjedhje të tij historike.

Tre senatorë republikanë kanë thënë se do të mbështesin kandidaturën e gjykatëses Jackson, e cila do të zëvendësojë gjykatësin Stephen Bryer që del në pension këtë verë. Megjithëse ky votim do të jetë shumë larg mbështetjes dypartiake që pati marrë gjatë procesit të konfirmimit gjykatësi Bryer apo kandidatura të tjera në të kaluarën, do të jetë sidoqoftë një arritje domethënëse për Presidentit Biden, në një Senat të ndarë 50-50, pasi senatorët republikanë u përpoqën në mënyrë intensive ta paraqisnin zonjën Jackson si liberale dhe jo të ashpër sa duhet ndaj krimit.

"Do të jetë një ditë e gëzueshme", tha kreu i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, të mërkurën në mbrëmje, gjatë njoftimit për seancën e votimit. "E gëzueshme për Senatin, e gëzueshme për Gjykatën e Lartë, e gëzueshme për Amerikën".

Image
Gjykatësja Jackson duke mbërritur për takimin në Kapitol me Senatorin demokrat Sherrod Brown. (5 prill 2022)

Zonja Jackson, një gjykatëse federale e apelit në moshën 51-vjeçare, do të jetë anëtarja e tretë afrikano-amerikane e Gjykatës së Lartë, pas gjykatësve Thurgood Marshall dhe Clarence Thomas, si dhe gruaja e gjashtë. Ajo do t'u bashkohet dy grave, gjykatëseve Sonia Sotomayor dhe Elena Kegan, anëtare të kahut liberal në gjykatën me shumicë konservatore 6 me 3. Së bashku me gjykatësen Amy Coney Barrett, e cila i përket kahut konservator, për herë të parë në historinë amerikane katër nga nëntë anëtarët e Gjykatës së Lartë do të jenë gra.

Pas seancave të ashpra dëgjimore në Komisionin e Senatit për Drejtësinë ku republikanët i drejtuan pyetje të forta gjykatëses Jackson rreth historikut të vendimeve të saj gjyqësore, tre senatorë republikanë deklaruan publikisht se do të mbështesin kandidaturën e saj. Deklaratat e senatores Susan Collins, senatores Lisa Murkowski dhe senatorit Mitt Romney ishin në të njëjtën linjë - ata mund të mos jenë gjithnjë dakort me zonjën Jackson, por mendojnë se ajo është shumë e kualifikuar për këtë detyrë.

Image
Senatorja republikane Lis Murkowski dhe Senatori republikan Mitt Romney duke u përshëndetur në hyrje të sallës së Senatit (5 prill 2022)

Senatoret Collins dhe Murkowski kritikuan procesin gjithnjë e më partiak të konfirmimit, proces të cilin senatorja Collins e quajti "të dëmtuar" dhe senatorja Murkowski e quajti "të ndryshkur" dhe "çdo vit gjithnjë e më të shkëputur nga realiteti".

Presidenti Biden, një veteran i një Senati më dypartiak, u shpreh që në fillim se dëshironte mbështetjen e të dyja palëve për këtë emërim historik, dhe i ftoi republikanët në Shtëpinë e Bardhë ndërsa vendoste se kë do të propozonte. Kjo ishte një përpjekje për të ringritur marrëdhënien pas tre betejave të ashpra për Gjykatën e Lartë gjatë mandatit të ish-Presidentit Donald Trump, kur demokratët i kundërshtuan me forcë emërimet, si dhe nga fundi i mandatit të ish-Presidentit Barack Obama, kur republikanët bllokuan votimin për emërimin në Gjykatën e Lartë të zotit Merrick Garland.

Duke folur muajin e kaluar përpara Komisionit të Senatit për Drejtësinë, zonja Jackson tha se jeta e saj kishte marrë trajtë, e ndikuar nga eksperiencat e prindërve të saj me segregimin racial dhe ligjet për të drejtat civile që u vendosën një dekadë përpara se ajo të kishte lindur.

Ndërsa prindërit dhe familja qëndronin të ulur pas saj, ajo i tha komisionit se "rrugëtimi ishte më i qartë" për të si një afrikano-amerikane, krahasuar me prindërit e saj. Zonja Jackson kreu studimet në Universitetin e Harvardit, shërbeu si avokate për personat që nuk munden të paguajnë për shërbimet juridike, punoi në një firmë private avokature dhe shërbeu si anëtare e Komisionit të Shteteve të Bashkuara për Dënimet, krahas detyrës së saj nëntë vjeçare si gjykatëse federale.

Image
Gjykatësja Jackson përpara takimit në Kapitol me Senatorin demokrat Mark Warner (4 prill 2022)

"Kam qenë gjykatëse për gati një dekadë tashmë, dhe e marr shumë seriozisht këtë përgjegjësi dhe detyrimin për të qenë e pavarur", tha zonja Jackson. "I marr vendimet gjyqësore nga një pozicion neutral. Vlerësoj faktet, i interpretoj dhe aplikoj ligjet për faktet e çështjes së paraqitur, pa frikë dhe pa favorizim, në përputhje me betimin që kam bërë kur u bëra gjykatëse".

Kur të bëjë betimin për anëtare e Gjykatës së Lartë, zonja Jackson do të bëhet anëtarja e dytë më e re e gjykatës, pas zonjës Barrett, e cila është në moshën 50-vjeçare. Ajo do të bëhet pjesë e një gjykate ku asnjë anëtar nuk është ende 75 vjeç - hera e parë që kjo ndodh në pothuajse 30 vjet.

Që në fillimet e detyrës së re, zonja Jackson do të përballet me çështje që përfshijnë racën, qoftë për pranimin në universitete apo për të drejtën e votës.

Gjatë seancave dëgjimore, republikanët i drejtuan asaj pyetje për historikun e vendimeve të marra si gjykatëse federale, përfshirë dënimet që ajo pati dhënë për raste të pornografisë me fëmijë, dënime për të cilat thanë se ishin shumë të lehta. Zonja Jackon e kundërshtoi këtë portretizim të republikanëve, duke deklaruar se "asgjë nuk mund të jetë më larg të vërtetës" dhe shpjegoi me detaje arsyetimin e saj. Demokratët thanë se vendimet e saj ishin në përputhje me ato të gjykatësve të tjerë.

Këto pyetje në Komisionin e Senatit për Gjyqësorin zunë vend megjithatë tek disa republikanë, përfshirë kreun e republikanëve në Senat Mitch McConnell, i cili tha në një fjalim të mërkurën se zonja Jackson "nuk u tregua kurrë e ashpër në këtë fushë".

Image
Drejtuesi i pakicës republikane në Senat Mitch McConnell duke biseduar me gazetarët në Kapitol (5 prill 2022)

Demokratët kritikuan pyetjet e drejtuara nga republikanët.

"Mund të përpiqeni të krijoni një person fiktiv këtu, por nuk do të zërë vend", tha Senatori Cory Booker gjatë votimit në komision këtë javë. Duke votuar 11-11, komisioni nuk arriti ta kalojë kandidaturën, por Senati votoi për ta vazhduar procesin e konfirmit përtej komisionit.

Image
Votimi 11 me 11 në Komisionin e Senatit për Gjyqësorin

Në një moment pasionant gjatë seancave dëgjimore, Senatori Booker, i cili është gjithashtu afrikano-amerikan, i tha zonjës Jackson se ndjehej i prekur kur e shikonte të dëshmonte. Ai tha se shikonte paaardhësit e tij dhe të saj në imazhin e zonjës Jackson.

"Por, mos u shqetëso motra ime", tha Senatori Booker. "Mos u shqetëso, Zoti të mbron. Dhe nga e di unë këtë? Sepse ti ndodhesh këtu dhe e di se çfarë të është dashur të kalosh për t'u ulur në atë karrige"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat