Sulmi në shkollë, Departamenti i Drejtësisë merr në shqyrtim përgjigjen e policisë ndaj ngjarjes

Amerika

Sulmi në shkollë, Departamenti i Drejtësisë merr në shqyrtim përgjigjen e policisë ndaj ngjarjes

Më: 29 maj 2022 Në ora: 20:06
Foto ilustrim

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha të dielën se do të shqyrtojë përgjigjen që i dhanë strukturat e zbatimit të ligjit sulmit me armë në një shkollë në Uvalde të Teksasit, gjatë së cilës u vranë 19 fëmijë dhe dy mësues.

Reagimi i policisë po përballet me një zemërim në rritje publik për shkak të asaj që është cilësuar dështim në përballjen me shpejtësi me personin e armatosur.

Ky i fundit qëndroi prej rreth një orë në një klasë të shkollës fillore “Robb”, ndërsa oficerët e policisë prisnin në korridor dhe fëmijët që ndodheshin brenda bënin thirrje për ndihmë.

Autoritetet e shtetit dhe qarkut të Teksasit kanë njoftuar se po kryejnë hetime mbi ngjarjen. Zëdhënësi i Departamentit të Drejtësisë Anthony Coley, tha se me kërkesë të kryebashkiakut të Uvaldet do të kryhet një shqyrtim kritik lidhur me përgjigjen e strukturave të zbatimit të ligjit ndaj ngjarjes.

"Qëllimi i rishikimit është të sigurojë një panoramë të pavarur të veprimeve dhe përgjigjes së strukturave të zbatimit të ligjit atë ditë, si dhe të nxirren mësime e të vihen në zbatim praktikat më të mira për të ndihmuar strukturat që janë përgjegjëse për të reaguar të parët në terren, në rastet kur autorët e sulmeve vijojnë të jetë të rrezikshëm", tha zoti Coley.

"Departamenti i Drejtësisë do të publikojë një raport me gjetjet e tij në përfundim të këtij shqyrtimit", shtoi zoti Coley./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat