Eksporti i gazit natyror kërcënon bregun e gjirit amerikan

Amerika

Eksporti i gazit natyror kërcënon bregun e gjirit amerikan

Më: 4 qershor 2022 Në ora: 20:07
Foto ilustrim

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara u bënë eksportuesi më i madh i gazit natyror të lëngshëm dhe ka plane për shtimin e numrit të objekteve për eksportimin e tij në Bregun e Gjirit amerikan. Por banorët e zonës thonë se do të kundërshtojnë këto plane, për shkak të pasojave tek klima.

John Allaire sheh çdo ditë zjarrin që digjet në një objekt të gazit natyror afër pronës së tij në bregdetin e Luizianës jugperëndimore.

“Ju e patë tymin e zi që dilte me zjarrin. Disa ditë është shumë më keq sesa tani”, thotë zoti Allaire.

Ai jeton afër kompanisë Venture Global, e cila eksporton gaz natyror të lëngshëm në të gjithë botën. Meqenëse ka një objekt të tillë afër pronës së tij, zoti Allaire kundërshton zëshëm planet për një të dytë.

"Në vend të gjithë kësaj grykëderdhjeje, gjithë këtij uji, moçaleve në rritje, do të ketë beton”, shton ai.

Së fundmi Shtetet e Bashkuara u bënë eksportuesi më i madh në botë i gazit natyror të lëngshëm ose GNL, ndërsa planet janë që të shtohet numri i objekteve të gazit natyror përgjatë bregut të gjirit amerikan.

Sulmi i Rusisë kundër Ukrainës ka shtuar kërkesën për gaz natyror të lëngshëm, veçanërisht në Evropë. Kjo ka nxitur interes edhe më të madh për shtim të eksporteve të gazit natyror nga Bregu i Gjirit amerikan – gjë që bie ndesh me planin e Presidentit Joe Biden për të ulur emetimet e gazrave që shkaktojnë efektin serrë.

Zyrtarët e kompanisë “Cameron LNG”, thonë se kanë reduktuar çlirimin e dioksidit të karbonit me 10 për qind nga viti 2020 deri më 2021.

"Kemi mekanizma të ndryshëm për të kontrolluar emetimet tona”, thotë John Wainwright mbikëqyrës i ndikimeve mjedisore në kompani.

Por emetimet e përgjithshme në këtë industri janë ende të konsiderueshme.

Disa thonë se përfitimet ekonomike nga gazi natyror i lëngshëm janë më të mëdha sesa rreziqet. Këtë e mbështesin në të ardhurat nga taksat dhe vendet e punës të krijuara nga këto objekte.

Megjithatë, ndikimi i çlirmit të karburanteve fosile në ndryshimet klimatike është një shqetësim i vërtetë për banorët në bregun e gjirit amerikan, të cilët janë goditur edhe nga uragane të ashpra.

Ne po shohim si lulëzon industria e gazit, ndërsa ne vuajmë nga ndotja që ajo krijon dhe ndryshimet klimatike”, thotë Roishetta Ozane.

Banorët thonë se do të vazhdojnë kundërshtimin e tyre. Ata theksojnë se do të duhen vite për të ndërtuar objekte të tjera të eksportit të gazit natyror të lëngshëm. Pra, nuk ka zgjidhje afatshkurtër për kërkesën globale për gaz natyror. Por ata frikësohen se objektet do të ndërtohen gjithsesi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat