Kryeministri kanadez infektohet me COVID-19

Amerika

Kryeministri kanadez infektohet me COVID-19

Më: 13 qershor 2022 Në ora: 21:10
Justin Trudeau

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha të hënën se kishte rezultuar pozitiv me COVID-19, hera e dytë që ai përballet me sëmundjen këtë vit. Kryeministri Trudeau tha se ai ndihej mirë dhe ishte izoluar në bazë të udhëzimeve mjekësore.

Javën e kaluar zoti Trudeau mori pjesë në takimin e vendeve të hemisferës perëndimore në Kaliforni, ku u takua me Presidentin Joe Biden dhe udhëheqës të tjerë për të diskutuar çështje rajonale. Ai u kthye të shtunën në Otavë.

“Kam rezultuar pozitiv për COVID-19. Do të ndjek udhëzimet dhe do të izolohem. Ndihem mirë pasi jam i vaksinuar” tha zoti Trudeau përmes një postimi në rrjetin Twitter, duke bërë thirrje për vaksinim dhe marrjen e dozave përforcuese. “Le të mbrojmë sistemin tonë të kujdesit shëndetësor, njëri-tjetrin dhe veten tonë”, tha ai.

Zoti Trudeau u takua të premten me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe më vonë mori pjesë në një drekë të organizuar nga Presidenti Biden, sipas itinerarit të tij. Presidenti Biden nuk ishte një distancë të afërt me zotin Trudeau, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë të hënën.

Itinerari i zotit Trudeau përfshinte gjithashtu takime dypalëshe të premten me Kryeministrin Andrew Holness të Xhamajkës dhe Presidentin e Republikës Domenikane Luis Abinader.

Infektimi i zotit Trudeau vjen vetëm disa ditë pasi qeveria e tij tha se do të pezullonte testimin për koronavirus në aeroportet e Kanadasë për pjesën tjetër të qershorit, për krijuar lehtësime për udhëtarët.

Liberalët në pushtet janë përballur me kritika lidhur me kufizimet e vazhdueshme për pandeminë, përfshirë ndalimin e udhëtimeve ajrore për individët e pavaksinuar dhe vaksinimin e detyruar për punonjësit e administratës shtetërore.

Në fillim të vitit, protestuesit kundër vaksinimit me detyrim u grumbulluan në rrugë pranë zyrës së kryeministrit dhe ndërtesave të parlamentit kanadez, duke përdorur qindra kamionë dhe automjete të tjera duke bllokuar qendrën e Otavës për tre javë.

Protestuesit u larguan nga organet e rendit pasi zoti Trudeau aktivizioi një ligj emergjent që përdoret në raste të rralla. 50 vjeçari Truedau u infektua për herë të parë me koronavirus në janar. Në mars të vitit 2020, zoti Trudeau drejtoi vendin ndërsa u izolua për 14 ditë pasi gruaja e tij, Sophie Gregoire Trudeau, rezultoi se ishte infektuar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat