Këshilltari ligjor i ish-Presidentit Trump, 8 orë dëshmi me dyer të mbyllura në Kongres

Amerika

Këshilltari ligjor i ish-Presidentit Trump, 8 orë dëshmi me dyer të mbyllura në Kongres

Më: 9 korrik 2022 Në ora: 05:40
Ish-këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollone

Ish-këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë Pat Cipollone zhvilloi të premten një intervistë për rreth tetë orë me dyer të mbyllura në komisionin që po heton sulmin e dhunshëm në Kapitol më 6 janar.

Intervista u përqëndrua tek roli i tij për të parandaluar ish-Presidentin Donald Trump që të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, si dhe t'i bashkohej turmës së njerëzve drejt Kapitolit.

Zoti Cipollone, dikur një nga njerëzit e besuar të Presidentit Trump, i cili e kishte mbrojtur atë gjatë procesit të parë në Kongres, që synoi shkarkimin e tij nga detyra, fillimisht kishte hezituar të paraqitej zyrtarisht për një intervistë të regjistruar.

Mbetet e paqartë se sa informacione ka ndarë ai të premten me ligjvënësit e komisionit dhe nëse ka përdorur privilegjin ekzekutiv për të mos dhënë informacione rreth bisedave që ka zhvilluar me ish-presidentin.

Komisioni e ka konsideruar zotin Cipollone një dëshmitar kyç nisur nga disa dëshmi të rëndësishme që kanë vënë në pah përpjekjet e tij, në dukje të dëshpëruara, për të parandaluar veprimet e zotit Trump. Në disa dëshmi ligjvënësve iu tha se zoti Cipollone kishte paralajmëruar se ndaj presidentit mund të ngriheshin aq shumë akuza penale, “aq sa mund të ta rrokte mendja”, nëse ai do të shkonte në Kapitol më 6 janar të vitit 2021.

Në një letër që shoqëronte fletëthirrjen për t’u paraqitur në komision, ligjvënësit shkruanin se pozita e zotit Cipollone për të dëshmuar është unike.

"Zoti Cipollone ngriti në mënyrë të përsëritur jo vetëm shqetësime ligjore, në lidhje me veprimet e Presidentit Trump më 6 janar, si dhe në ditët që i paraprinë", tha nëpërmjet një deklarate kryetari i komisionit, ligjvënësi demokrat Bennie Thompson.

“Ndërsa vlerësojmë angazhimin e mëhershëm jozyrtar të zotit Cipollone me hetimin, komisioni kërkon të dëgjojë prej tij, zyrtarisht, sikurse ka bërë me ish-këshilltarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë në të shkuarën”, shtonte ai.

Roli i zotit Cipollone u soll në vëmendje gjatë një seance të papritur të komisionit javën e kaluar, kur ish-ndihmësja e Shtëpisë së Bardhë Cassidy Hutchinson foli rreth përpjekjeve të tij, të përsëritura, për të ndaluar zotin Trump që t'i bashkohej turmës që po marshonte drejt Kapitolit.

Zonja Hutchinson tha se zoti Cipollone i kishte kërkuar asaj që të bindte shefin e saj direkt, shefin e personelit Mark Meadows, që të mos e linte zotin Trump të shkonte në Kapitol.

Zonja Hutchinson dëshmoi se asaj i ishte thënë se zoti Trump u inatos kur nuk u la nga ekipi i tij i sigurisë që të shkonte në Kapitol atë ditë. Shërbimi Sekret ka kundërshtuar atë pjesë të dëshmisë së saj kur zonja Hutchinson pretendon se ka patur një acarim mes ish-Presidentit dhe një punonjësi të Shërbimit Sekret brenda makinës presidenciale. Sipas saj, zoti Trump është përpjekur t’i marrë atij me forcë timonin e makinës.

Zoti Cipollone ka qenë pjesë e një takimi të rëndësishëm të zhvilluar një ditë përpara 6 janarit me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë në Shtëpinë e Bardhë. Ai së bashku me disa zyrtarë të tjerë, kërcënuan se do të jepnin dorëheqjen nëse zoti Trump do të vazhdonte me planet për të vendosur një prokuror të ri në detyrë, në krye të Departamentit, i cili mbështeste pretendimet e tij të rreme për manipulim të zgjedhjeve.

Sipas një deponimi në komision, gjatë atij takimi, zoti Cipollone Cipollone i ishte referuar një letre të propozuar që bënte pretendime të rreme për manipulime, si një "pakt për vetëvrasje" politike.

Në fillim të kësaj jave, zoti Trump iu përgjigj njoftimeve rreth bashkëpunimit të zotit Cipollone me komisionin, në platformën e medias sociale “Truth Social”, duke e quajtur vendimin një gjë të keqe për vendin.

“Përse një President i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara do të dëshironte të zhvillonte biseda të sinqerta dhe të rëndësishme me këshilltarin e tij në Shtëpinë së Bardhë, nëse ai do të mendonte se kishte qoftë edhe një mundësi që ky person, që në thelb vepron si “avokat” për vendin, mund të sillej një ditë përpara një komisioni partiak në Kongres dhe haptazi armiqësor”, shkruante ish-presidenti./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat