Komisioni hetimor për 6 janarin, dëgjesa të rëndësishme këtë javë

Amerika

Komisioni hetimor për 6 janarin, dëgjesa të rëndësishme këtë javë

Më: 11 korrik 2022 Në ora: 17:11
Foto ilustrim

Komisioni i posaçëm i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e 6 janarit të vitit 2021 ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara pritet të mbajë të martën seancën dëgjimore të radhës. Komisioni ka njoftuar se ajo do të përqëndrohet tek pjesëmarrja e grupeve të nacionalistëve të bardhë në sulmin ndaj Kongresit. Ndërkohë në një lëvizje të papritur, ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, njoftoi komisionin hetimor se është i gatshëm të dëshmojë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, dëgjesa e shtatë e komisionit pason një sesion me dyer të mbyllura që u mbajt javën e kaluar me një ish-këshilltar të lartë ligjor të Shtëpisë së Bardhë.

Ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të ish-Presidentit Trump, Steve Bannon, i cili po përballet me akuza penale, pasi refuzoi të shkonte në Kongres për të dëshmuar, ka njoftuar komisionin hetimor se është tani i gatshëm të dëshmojë.

Ligjvënësit thonë se kjo u komunikua nëpërmjet një letre të dorëzuar nga avokati i tij të shtunën. Ky zhvillim vjen ndërsa komisioni po përgatitet të bëjë publike disa nga gjetjet më të spikatura kundër ish-Presidentit Donald Trump. Zoti Bannon ishte shprehur në të kaluarën se mbrohej nga pretendimi i ish-presidentit për të ashtuquajturin imunitet të ekzekutivit, pretendimi nga i cili ish-Presidenti Trump me sa duket është tashmë i gatshëm të tërhiqet, thuhet në letrën e avokatit të zotit Bannon.

Të premten në Uashington, ish-këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollone, mbërriti në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara për të dëshmuar me dyer të mbyllura përpara komisionit hetimor. Zoti Cipollone ishte në atë kohë këshilltar i lartë ligjor i ish-Presidentit Trump.

Një tjetër ish-ndihmëse e lartë e shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë dëshmoi më herët se ish-Presidenti Trump ishte gjithnjë e më i zemëruar dhe i irrituar që po dështonin përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Ish-ndihmësja e Shtëpisë së Bardhë, Cassidy Hutchinson, tha gjatë dëshmisë se zoti Cipollone kishte paralajmëruar “për pasoja serioze ligjore” që përpara 6 janarit. Ajo tha se mëngjesin e sulmit, zoti Cipollone ishte shprehur se “do të na akuzojnë për të gjithë veprat e mundshme penale”.

“Do të shikoni gjatë seancave të ardhshme një pjesë të asaj që ai tha. Sigurisht, do të gjeni një pjesë të mirë në raportin (hetimor). Në asnjë pikë nuk pati kontradikta për ato çfarë kanë thënë të tjerët. Po ja lë pjesën tjetër komisionit që të na e prezantojë”, tha Ligjvënësi republikan Adam Kinzinger.

Nga ana e tij, ish-Presidenti Trump vazhdoi të kritikojë anëtarët e komisionit dhe punën e tyre. Ai shkruajti rishtazi në rrjetin “Truth Social”, një platformë e medias sociale e themeluar prej tij, se: “Përse Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara do të donte të kishte biseda të rëndësishme dhe të sinqerta me Këshilltarin e tij ligjor në Shtëpinë e Bardhë, nëse do të ekzistonte qoftë edhe një mundësi e vogël që ky person, në rolin praktikisht të një juristi për vendin, mund të sillej një ditë përpara një komisioni partiak dhe haptazi armiqësor në Kongres?”.

E gjitha kjo pasoi javën kur kkreu i agjensisë së taksave, IRS, kërkoi të rishikohen kontrollet intensive financiare ndaj ish-Drejtorit të FBI-së, James Comey dhe ish-Zv.Drejtorit Andrew McCabe, të cilët u kritikuan shpesh dhe publikisht nga ish-Presidenti Trump gjatë mandatit të tij në detyrë.

Vetë zoti Trump u bë i pari presidenti amerikan i kohërave moderne që nuk bëri publike pasqyrat vjetore të taksave të tij./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat