Kritikja e Trumpit, Liz Cheney humbet zgjedhjet paraprake republikane në Uajoming

Amerika

Kritikja e Trumpit, Liz Cheney humbet zgjedhjet paraprake republikane në Uajoming

Më: 17 gusht 2022 Në ora: 20:01
Liz Cheney

Ligjvënësja Liz Cheney, kundërshtarja më e ashpër republikane e Donald Trumpit në Kongres, u mposht në zgjedhjet paraprake të kësaj partie të martën, nga një rivale pak e njohur, por e mbështetur nga ish-presidenti. Ligjvënësja Cheney, e cila ka luajtur një rol të spikatur në hetimin e për sulmin e 6 janarit në Kongres, duket t’i kenë dhënë fund karrierës së saj politike, të paktën tani për tani, ndërsa ajo shqyrton mundësinë për të hyrë në garën presidenciale të vitit 2024.

Ligjvënësja Liz Cheney pranoi humbjen ndaj kundërshtares së saj të mbështetur nga ish presidenti Donald Trump, Harriet Hageman, në zgjedhjet paraprake republikane të së martës në shtetin Uajoming për vendin e vetëm të këtij shteti në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ish presidenti Trump e kishte vënë si objektivin e tij kryesor mposhtjen e zonjës Cheney që kur ajo iu bashkua nëntë republikanëve të tjerë të Dhomës së Përfaqësuesve në votimin për ta shkarkuar atë për nxitjen e sulmit të 6 janar 2021, ndaj Kongresit.

Zonja Cheney iu drejtua mbështetësve të saj, duke e cilësuar humbjen në garë si fillimin e një kapitulli të ri në karrierën e saj politike.

“Duhet ta kemi shumë të qartë kërcënimin me të cilin përballemi dhe çfarë duhet të bëjmë për ta mposhtur atë. E kam thënë që nga 6 janari, se do të bëj gjithçka që është e nevojshme që Donald Trumpi të mos jetë më kurrë pranë Zyrës Ovale – më besoni”.

Duke pranuar humbjen e garës, zonja Cheney tha se nuk ishte e gatshme "të pranonte gënjeshtrën e Presidentit Trump për zgjedhjet e 2020" për të fituar zgjedhjet paraprake.

"Fitorja do të kërkonte që unë të mbështesja përpjekjet e tij të vazhdueshme për të shthurur sistemin tonë demokratik dhe për të sulmuar themelet e republikës sonë. Kjo ishte një rrugë që nuk mundja dhe nuk do ta merrja".

Në fjalimin e saj të fitores kandidatja Harriet Hageman falenderoi ish presidentin Trump për mbështetjen që i dha fushatës së saj.

“Nuk e arrita fitoren vetëm. Natyrisht, ne të gjithë i jemi shumë mirënjohës Presidentit Trump, i cili e di se Uajoming ka vetëm një përfaqësues në Kongres dhe duhet ta bëjmë që ky vend t’ia vlejë“, tha kandidatja për në Kongres Harriet Hagerman.

“Liz Cheney duhet të ketë turp nga vetja, për mënyrën se si veproi, për fjalët dhe veprimet e saj të neveritshme ndaj të tjerëve”, tha zoti Trump në një postim në platformën e tij të mediave sociale “Truth”, pasi zonja Cheney pranoi humbjen e saj.

Ligjvënësja Cheney tashmë po sheh përpara drejt një të ardhmeje politike përtej Kongresit, që mund të përfshijë një kandidim presidencial në vitin 2024, e që mund ta vendosë atë potencialisht në një kurs tjetër përplasjeje me zotin Trump.

Në një garë tjetër, senatorja Lisa Murkowski, një tjetër republikane, që ka sfiduar ish-presidentin, kapërceu një pengesë në shtetin e saj të Alaskës. Ajo do të përballet me sfiduesen e mbështetur nga ish presidenti Trump, Kelly Tshibaka në zgjedhjet e Kongresit të 8 nëntorit, ndërsa të dy kandidatet përparuan në zgjedhjet paraprake jopartiake të këtij shteti.

Gjithashtu në Alaskë, Sarah Palin, ish-guvernatore dhe kandidate për nënpresidente në vitin 2008, e cila është miratuar nga zoti Trump, u përball me republikanin Nick Begich III dhe demokraten Mary Peltola. Fituesi do të shpallet më 31 gusht.

Fituesi i kësaj gare do të përfundojë mandatin e ligjvënësit Don Young, i cili vdiq në mars./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat