Fermerët amerikanë përballen me thatësirën

Amerika

Fermerët amerikanë përballen me thatësirën

Më: 20 gusht 2022 Në ora: 19:51
Foto ilustrim

Ndryshimet klimatike në verilindje të Shteteve të Bashkuara i kanë tharë fushat ndërsa fermerët shpresojnë që të ketë shira. Kullotat në Fermën Mountain Meadows në shtetin e Vermontit zakonisht rriten më ngadalë në fund të verës pasi bëhet nxehtë, por këtë vit bari mund të mos mbijë më fare për shkak të thatësirës.

Në Vermont, këta buaj po mblidhen rreth një pellgu me ujë, të rrethuar me bar të thatë.

Ndryshimet klimatike në pjesën verilindore të SHBA-së në përgjithësi kanë sjellë mot më të lagësht, rritje të nivelit të detit, reshje të mëdha dhe stuhi që shkaktojnë përmbytje dhe erozion bregdetar.

Por nxehtësia e madhe e kësaj vere, i ka tharë lëndinat dhe fermerët shpresojnë që të ketë reshje.

"Kemi përjetuar një pranverë shumë të thatë - prill, maj, qershor. Ka patur rreshje të kufizuara aty-këtu, por normalisht, këtu, në javën e parë të gushtit, këto kullota duhet të ishin të harlisura dhe të gjelbra. Bagëtia ka kullotur një herë, më herët, gjatë majit dhe fillimit të qershorit, dhe tani janë në raundin e tyre të dytë. Dhe siç mund ta shihni, ka shumë pak rritje", thotë Brian Kemp i cili menaxhon fermën me 750 krerë bagëti.

Kullotat e fermës zakonisht rriten më ngadalë në fund të verës pasi bëhet nxehtë, por këtë vit, bari mezi po rikthehet.

"Nuk kemi pasur sasi të madhe të reshjeve të borës në dimër, kështu që nuk kemi shkrirjen e borës në pranverë. Pra, kemi më shumë thatësirë sesa kishim tradicionalisht 15, 20 vjet më parë," thotë zoti Kemp.

Thatësira tashmë po godet cilësinë dhe vëllimin e prodhimit të barit, i cili është kritik për ushqimin e bagëtive gjatë muajve të gjatë dhe rraskapitës të dimrit.

Retë mblidhen mbi horizont – por çfarëdo reshjesh që mund të sjellin nuk do të mjaftojë për të kompensuar mungesën që është krijuar me kalimin e kohës.

"Ne kemi një thënie në Vermont, nëse nuk të pëlqen moti, prit vetëm pesë minuta dhe do të ndryshojë. Pra, ne jemi mësuar me motin e paqëndrueshëm, por duket kjo ishte e vërtetë ndoshta tetë ose 10 vjet më pare. Tani duket se nuk ka më normale”, thotë fermeri Kemp.

Furnizimet me ujë janë të pakta, dhe shumë komunitete po kufizojnë përdorimin jo thelbësor të ujit në natyrë.

Timothy D. Herbert është profesor i shkencës mjedisore të Tokës në Universitetin Brown në kryeqytetin Providences të shtetit Rhode Island.

“Një nga gjërat që duhet mbajtur parasysh është se uji dhe toka janë si një llogari bankare për jetën në tokë, veçanërisht bimët. Ata duhet ta menaxhojnë atë ujë për të siguruar jetesën. Dhe ajo që po shohim është se për shkak të më pak reshjeve të borës në dimër, dhe më pak shiu në pranverë, ajo llogari bankare e nis vitin me shumë pak. Kështu që bimët duhet të arrijnë të sigurojnë jetesën, ato rriten, mund të jenë të gjelbra - por nuk janë aq produktive. Dhe ne e shohim atë veçanërisht në bujqësi, ku me kalimin e verës, bimët kanë gjithnjë e më pak ujë për të marrë dhe janë shumë më pak produktive për fermerët tanë."

Profesori Herbert thotë se thatësira ka qenë vazhdimisht, dhe në mënyrë të fshehtë, duke u rritur me kalimin e kohës në rajonin që njihet më mirë si një destinacion për udhëtimet rrugore në periudhën e vjeshtës.

Në fermën Mountain Meadows, Kemp nget një automjet për të inspektuar bagëtinë e tij. Zoti Kemp, i cili është gjithashtu president i Koalicionit të Fermerëve të Luginës Champlain, pohon se fermerët po luftojnë më shumë se sa vetëm thatësirën – inflacioni po rrit koston e gjithçkaje, nga karburantet tek pjesët e pajisjeve tek plehrat dhe pesticidet.

"Nëse mbetet vërtet thatësirë gjatë pjesës tjetër të vjeshtës dhe njerëzit nuk kanë të korra për të ushqyer bagëtinë e tyre, mund të jetë pika e fundit e durimit për të lënë pas gjithçka", thotë fermeri Kemp./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat