SHBA: Departamenti i Drejtësisë, hollësi të tjera për dokumentat e mbajtura në Mar-a-Lago

Amerika

SHBA: Departamenti i Drejtësisë, hollësi të tjera për dokumentat e mbajtura në Mar-a-Lago

Më: 31 gusht 2022 Në ora: 17:36
Foto ilustrim

Departamenti i Drejtësisë thotë se ka gjasa që dokumenta të klasifikuara "të jenë fshehur dhe zhvendosur" brenda shtëpisë së ish-presidentit Donald Trump në Florida, si pjesë e një përpjekjeje për të penguar hetimin federal për gjetjen e dokumentave zyrtare.

FBI-ja sekuestroi kuti me më shumë se 100 dokumente të klasifikuara gjatë kontrollit të 8 gushtit në Mar-a-Lago dhe gjeti dokumente të klasifikuara të fshehura në zyrën e zotit Trump, sipas një dokumenti prej 54 faqesh që paraqet kronologjinë më të detajuar deri tani të shkëmbimeve të tensionuara mes zyrtarëve të Departamentit të Drejtësisë dhe përfaqësuesve të ish-presidentit Trump, lidhur me zbulimin e sekreteve qeveritare.

Dokumenti nxjerr në pah se hetimi penal është përqendruar jo vetëm tek arsyeja se pse të dhënat janë ruajtur në mënyrë të parregullt, por edhe tek çështja nëse ekipi i ish-presidentit Trump ka gënjyer qëllimisht në lidhje me praninë e vazhdueshme dhe të paligjshme të dokumenteve tepër sekrete në Mar-a-Lago.

Kronologjia e ngjarjeve e detajuar nga Departamenti i Drejtësisë bën të qartë se kontrolli i jashtëzakonshëm në rezidencën e ish-presidentit Trump erdhi vetëm pasi përpjekjet e tjera për të marrë dokumentet kishin dështuar. Po ashtu kishte dyshime se në Mar-a-Lago kishin mbetur ende dokumente të klasifikuara, megjithë garancitë e përfaqësuesve të ish presidentit, se ato ishin dorëzuar të gjitha.

Megjithëse përmban detaje të reja të rëndësishme mbi hetimin, dokumenti i Departamentit të Drejtësisë nuk i jep përgjigje një pyetjeje thelbësore: pse ish-presideti Trump i mbajti dokumentet pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe pse ai dhe ekipi i tij u rezistoi përpjekjeve të përsëritura për t'i kthyer ato.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, gjatë një vizite të 3 qershorit në Mar-a-Lago nga zyrtarët e FBI-së "avokati i ish-Presidentit nuk dha asnjë shpjegim se pse kutitë me të dhëna zyrtare, përfshirë 38 dokumente të klasifikuara, mbetën në rezidencë gati pesë muaj pas dorëzimit të 15 kutive të para dhe gati një vit e gjysmë pas përfundimit të mandatit."

Synimi i dokumentit të djeshëm që Departamenti i Drejtësisë dorëzoi në gjykatë, ishte për të kundërshtuar një kërkesë të ekipit ligjor të zotit Trump për caktimin e një eksperti të posaçëm për të shqyrtuar dokumentet e sekuestruara dhe për t'i kthyer atij disa prej tyre. Gjyqtarja Aileen Cannon do të dëgjojë argumentet mbi këtë çështje të enjten.

Ajo tha të shtunën se "mendimi i saj paraprak" ishte që të emëronte një person të tillë, por shtoi se i dha Departamentit të Drejtësisë një mundësi për t'u përgjigjur.

Të hënën, departamenti tha se kishte përfunduar shqyrtimin e dokumenteve, disa prej të cilave mund të ishin të mbrojtura nga privilegji avokat-klient. Departamenti tha se një ekspert i posaçëm ishte "i panevojshëm" dhe se të dhënat presidenciale që u morën nga shtëpia nuk i përkasin zotit Trump./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat