Një mandat i dytë i Trump do ta rrezikonte seriozisht republikën në SHBA

Amerika

Një mandat i dytë i Trump do ta rrezikonte seriozisht republikën në SHBA

Martin Wolf Nga Martin Wolf Më 4 shtator 2022 Në ora: 06:45
Donald Trump

Javën e kaluar SHBA-ja hodhi një hap tjetër në rrugëtimin e saj drejt autokracisë, teksa Liz Cheney humbi në zgjedhjet paraprake republikane në qarkun e saj Wyoming. Babai i saj është ish-zëvendëspresidenti Dick Cheney, që organizoi luftën në Irak nën udhëheqjen e George W. Bush. 

Edhe ajo është shumë konservatore. E megjithatë, është shndërruar në një tabelë qitje për republikanët. Krimi i saj? Beson se pranimi i rezultatit të zgjedhjeve të ndershme, është një detyrë më e fisme sesa promovimi i gënjeshtrave të “liderit të madh” të partisë. 

Partia Republikane po përdor Führerprinzip (“parimin e udhëheqësit”) ashtu si gjermanët në vitet 1930. Ky është koncepti, sipas të cilit detyrimi kryesor është besnikëria ndaj një lideri që përcakton se çfarë është e vërtetë dhe e drejtë. Pajtimi nga republikanët me gënjeshtrën e madhe të Trump se ai fitoi zgjedhjet e fundit presidenciale, është një shembull i përsosur i këtij parimi. Për më tepër, në këtë rast ajo i kundërvihet direkt një vlere thelbësore të demokracisë liberale: asaj të zgjedhjeve të ndershme. Dhjetë vjet më parë, shumëkush do ta kishte menduar si të paimagjinueshëm një zhvillim të tillë në SHBA. Por me ngjitjen në pushtet të Donald Trump u bë e mundshme. Tani, reagimi jo aq shumë i Trump sesa i partisë së tij ndaj humbjes dhe gënjeshtrave të tij, na çon drejt një momenti tjetër vendimtar.

Siç argumentojnë në librin e tyre të shkëlqyer Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt, lektorë nga Universiteti i Harvardit, Si vdesin demokracitë, përmbysja e një demokracie nuk është dhe aq e vështirë. Kjo gjë ka ndodhur shumë herë, si në të kaluarën po ashtu edhe kohët e fundit. 

Së pari, përmbysni sistemin zgjedhor. Së dyti, kapni sistemin e drejtësisë (gjyqësorin, autoritetet tatimore, agjencitë e inteligjencës dhe ato të zbatimit të ligjit). Së treti, anashkaloni ose eliminoni kundërshtarët politikë, dhe mbi të gjitha, mediat. Në mandatin e tij të parë, Trump bëri shumë përparim në këtë drejtim, duke i promovuar si të vërteta gënjeshtrat e tij. 

Por as ai dhe as vartësit e tij, nuk e kishin zbuluar ende se si të ri-formatonin sistemin zgjedhor apo qeverinë, pjesërisht sepse ai nuk kishte ende ndihmësit e “duhur”, pra mbështetës fanatikë, kompetentë dhe të përkushtuar ndaj tij. Ai ishte i rrethuar nga njerëz që tani cilësohet si “besëprerë”, pra njerëz që kishin të paktën disa parime. Por situata ka ndryshuar. 

Tani Trump e ka tërësisht nën kontroll Partinë Republikane. Linçimi i Cheney është dëshmi e kësaj. Po aq e rëndësishme është bindja e përbashkët e republikanëve se ai nuk duhet të japë llogari për sjelljet e tij skandaloze në raport me ligjet. Siç e ka theksuar edhe Robert Kagan, ai dhe partia e tij e kanë shfrytëzuar gjithashtu gënjeshtrën e “vjedhjes” për të justifikuar përmbysjen e zgjedhjeve në SHBA, proces në të cilin po bëhet shumë përparim.

Faza e ardhshme vendimtare e Trumpizmit, është zëvendësimi i drejtuesve dhe stafit të institucioneve kryesore të shtetit nga njerëz besnikë ndaj tij personalisht. Që të ndodhë kjo, duhet që së pari ai të rizgjidhet president. Ndaj përparimi në përmbysjen e zgjedhjeve është i rëndësishëm, ashtu si mbajtja e tij jashtë qelive të burgut. 

Jonathan Swan ka përshkruar në Axios diçka tjetër që do të ishte jetike: një plan për t’u siguruar që qeveria të mbushet me besnikë të vërtetë ndaj Trump, nga lart-poshtë. Një aspekt thelbësor është sipas tij zëvendësimi i stafit të përhershëm të agjencive të qeverisë me besnikë të verifikuar me kujdes. 

Nëse republikanët do të arrinin të kontrollonin Kongresin në zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntor të këtij viti, ky skenar mund të bëhet jo dhe aq e vështirë për t’u imagjinuar. Ndaj supozoni sikur besnikët e Trump të drejtojnë dhe punojnë në FBI, CIA dhe Shërbimin e të Ardhurave të Brendshme. 

Supozoni sikur të gjithë besnikët e tij të caktohen në të gjitha pozicionet e larta ushtarake nën një sekretar të mbrojtjes tejet të bindur ndaj shefit. Supozoni caktimin e besnikëve personalë të Trump në bordin e Rezervës Federale dhe të gjitha agjencive të rëndësishme rregullatore. Imagjinoni se çfarë do të thotë kjo për sundimin e ligjit dhe të drejtat civile. 

Po ashtu imagjinoni presionin që agjenci të tilla mund të ushtrojnë mbi bizneset private, veçanërisht median. Logjika e tregut nën një autokraci është ajo e kapitalizmit nepotik. A do të ishin SHBA-të kaq shumë ndryshe? Ndoshta sistemi federal dhe gjyqësori do ta mbronin ende pavarësinë e tyre.

Por nëse njerëzit, parimi i vetëm i të cilëve është besnikëria ndaj liderit do të punonin në qeverinë federale, do të ishte e vështirë t’i rezistohej vullnetit të tij. Despotizëm do të thotë sundim i papërgjegjshëm. Pra jo rregulla kompetente apo ndërhyrëse. Ka të ngjarë që despotizmi të jetë i paaftë dhe dembel. Për këtë ka shumë shembuj. 

Gjithsesi do të ishte despotizëm. Çfarë do të thoshte për botën një administratë e dytë Trump e këtij lloji? Mbi të gjitha për aleatët e saj? Për bashkëpunimin global? “Asgjë e mirë”- është përgjigja për të gjitha këto pyetje. Fundi i “veçantësisë amerikane” ka të ngjarë të nënkuptojë formimin e sferave të veçanta të interesit si bazë e rendit global. 

Disa mund ta pëlqejnë këtë. Por për mendimin tim ky do të ishte gjithashtu një transformim katastrofik, dhe një rrugëtim drejt një bote despotike. Në vitin 27 Para Erës Sonë, Republika Romake u shndërrua në diktaturën ushtarake që ne e quajmë perandori romake. Nuk është e pamundur që një transformim i ngjashëm të jetë duke ndodhur sot në SHBA. 

Kjo mund të duket ende e paimagjinueshme për shumicën e njerëzve. Unë shpresoj të jetë kështu. Tek e fundit, Trump është i moshuar. Ai mund të mos ketë zëvendësues të përshtatshëm. Por çdo ditë që kalon ai po nxjerr në pah demoralizimin e republikës amerikane.

Konservatorizmi amerikan është bërë një lëvizje radikale nacionaliste, besnike ndaj të vërtetave të shpikur nga një njeri dhe e përkushtuar për përmbysjen e “Shtetit të thellë”, me të cilin nënkuptohet qeveria e tyre. Dick Cheneythotë se Donald Trump është “kërcënimi më i madh që ka ekzistuar ndonjëherë për Republikën tonë”. Dhe neduhet ta besojmë Cheney.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat