Departamenti i Drejtësisë apelon vendimin për ekspert të posaçëm për dokumentat e Mar-a-Lagos

Amerika

Departamenti i Drejtësisë apelon vendimin për ekspert të posaçëm për dokumentat e Mar-a-Lagos

Më: 9 shtator 2022 Në ora: 06:17
Foto ilustrim

Departamenti i Drejtësisë tha të enjten se po apelon vendimin e gjyqtares Aileen Cannon, që lejoi emërimin e një eksperti të pavarur për të shqyrtuar të dhënat e sekuestruara nga FBI-ja nga shtëpia e ish-presidentit Donald Trump në Florida.

Departamenti i kërkoi gjithashtu gjykatëses që ta pezullojë zbatimin e vendimit të saj që ndalon përdorimin e të dhënave të sekuestruara për qëllime hetimore, gjatë kohës që Departamenti i Drejtësisë argumenton kundërshtimin e vendimit të e saj në një gjykatë federale të apelit.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit thanë se do të shkaktohej një "dëm i pariparueshëm" nëse urdhri i gjykatëses Cannon do të mbetej në fuqi, duke vënë në dukje se paqartësia në lidhje me urdhrin e saj kishte bërë që komuniteti i zbulimit të ndalonte përkohësisht një vlerësim të dëmit të shkaktuar nga prania e të dhënave të klasifikuara në Mar- a-Lago.

"Për më tepër, qeveria dhe publiku dëmtohen në mënyrë të pariparueshme kur frenohet një hetim penal i çështjeve që përfshijnë rreziqe për sigurinë kombëtare," thuhej në mocionin e Departamentit të Drejtësisë.

Gjykatësja Aileen Cannon pranoi të hënën kërkesën e ekipit të ish-presidentit Trump për një eskpert të posaçëm dhe bllokoi përkohësisht Departamentin e Drejtësisë që të përdorte për qëllime hetimore mijëra të dhëna të marra nga Mar-a-Lago gjatë kontrollit të 8 gushtit.

Ky urdhër mund të ngadalësojë ritmin e hetimit për praninë e dokumenteve të klasifikuara në Mar-a-Lago të Floridës.
Departamenti i Drejtësisë, i cili e kishte kundërshtuar me ngulm një emërim të tillë dhe tha të enjetn se po e paraqiste apelin kundër vendimit në Gjykatën e 11-të të Apelit me bazë në Atlanta.

Gjykatësja Cannon, që është emëruar nga zoti Trump, tha se eskperti i posaçëm që ende nuk është emëruar do të jetë përgjegjës për shqyrtimin e të dhënave nga Mar-a-Lago dhe mënjanimin e atyre që mund të mbrohen nga privilegji avokat-klient ose privilegji ekzekutiv.

Departamenti i Drejtësisë po heton atë që thotë se është mbajtja e paligjshme e informacioneve të mbrojtjes kombëtare në Mar-a-Lago, si dhe përpjekjet për të penguar hetimin. Nuk është e qartë nëse zoti Trump apo dikush tjetër do të përballet me akuza./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat