U dënua me 35 vite burg, kush është ish-mbreti i drogës - jepte 1000 dollarë për këdo që vriste 1 polic

Amerika

U dënua me 35 vite burg, kush është ish-mbreti i drogës - jepte 1000 dollarë për këdo që vriste 1 polic

Më: 18 tetor 2022 Në ora: 17:38
Daniel Rendón Herrera

Mbreti i drogës në Kolumbi, Daniel Rendón Herrera është dënuar me 30 vite burg nga një gjykatë në New York.

Daniel Rendón Herrera, i njohur si Don Mario, udhëhoqi grupin paraushtarak të krahut të djathtë Forcat e Bashkuara të Vetëmbrojtjes (AUC).

Grupi, i krijuar fillimisht për të luftuar guerilët e krahut të majtë, u përfshi në rrëmbime, vrasje dhe zhvatje.

57-vjeçari Don Mario u kap në një strehë rurale në vitin 2009. Në atë kohë, ai ishte mbreti më i kërkuar i drogës në Kolumbi.

Ai u ekstradua në Shtetet e Bashkuara në vitin 2018 dhe vitin e kaluar u deklarua fajtor për trafikimin e më shumë se 80 ton kokainë në SHBA.

Daniel Rendón Herrera dhe vëllai i tij Freddy, i njohur si El Alemán (Gjermani), ishin udhëheqësit kryesorë në AUC.

Si pjesë e grupit paraushtarak, udhëhoqën mijëra luftëtarë që sulmuan dhe vranë këdo që ata konsideronin si simpatizant të grupeve rebele të krahut të majtë të Kolumbisë.

Për të financuar veten, AUC vendosi taksa për kokainën e kontrabanduar përmes territoreve që ajo kontrollonte dhe gjithashtu merrej me trafikun e drogës.

Anëtarët e AUC ishin pas disa prej masakrave më të tmerrshme të Kolumbisë. Dhjetëra mijëra kolumbianë u zhvendosën nga dhuna e grupit.

Shumë nga anëtarët e grupit, përfshirë Freddy Rendón Herrera, u çmobilizuan sipas një marrëveshje paqeje të vitit 2003.

Por ndryshe nga vëllai i tij, Don Mario nuk pranoi të dorëzonte armët dhe në vend të kësaj bashkëthemeloi bandën kriminale të Klanit të Gjirit.

Nën udhëheqjen e tij, Klani i Gjirit u bë banda më e frikshme në Kolumbi, duke trafikuar tonelata kokainë në SHBA dhe duke vrarë këdo që i dilte para.

Ndërsa policia shtoi gjuetinë e saj për Don Mario në vitin 2009, ai ofroi një shpërblim prej 1000 dollarësh për këdo që vriste një oficer policie.

Pas një kërkimi nëntë mujor, ai u kap në provincën Antioquia.

Ministri i Mbrojtjes në atë kohë, Juan Manuel Santos, tha se ai ishte gjetur me të brendshme, duke ngrënë oriz në një pjatë “si një qen”.

Njeriu që e pasoi atë në krye të Klanit të Gjirit, Dairo Antonio Úsuga u kap vitin e kaluar dhe u ekstradua në SHBA në maj.

Vëllai i Don Marios, Freddy Rendón Herrera, u lirua nga burgu në vitin 2017 dhe ka kërkuar falje për rekrutimin e qindra fëmijëve në radhët e AUC gjatë kohës së tij si udhëheqës i grupit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat