Bannon dënohet me katër muaj heqje lirie pasi sfidoi thirrjen për dëshmi në Kongres

Amerika

Bannon dënohet me katër muaj heqje lirie pasi sfidoi thirrjen për dëshmi në Kongres

Më: 22 tetor 2022 Në ora: 09:05
Steve Bannon

Steve Bannon, një aleat i ish-presidentit Donald Trump, u dënua të premten me katër muaj heqje lirie pasi sfidoi një thirrje për dëshmi nga komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që hetonte sulmin e 6 janarit në Kongresin amerikan.

Gjykatësi e lejoi zotin Bannon të qëndrojë i lirë në pritje të apelit dhe gjithashtu vendosi një gjobë prej 6,500 dollarësh si pjesë e dënimit. Zoti Bannon u dënua në korrik për dy akuza për mosrespektim të Kongresit: një për refuzimin e dhënies së një dëshmie dhe tjetrën për refuzimin e dhënies së dokumenteve.

Gjykatësi i qarkut, Carl Nichols dha dënimin pasi tha se ligji ishte i qartë se shpërfillja e Kongresit i nënshtrohet një dënimi minimal të detyrueshëm prej të paktën një muaji në burg. Avokatët e zotit Bannon kishin argumentuar se gjyqtari mund ta kishte dënuar atë me kusht. Prokurorët kishin kërkuar që zoti Bannon të dërgohej në burg për gjashtë muaj.

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve kishte kërkuar dëshminë e zotit Bannon për përfshirjen e tij në përpjekjet e ish-presidentit Trump për të përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Zoti Bannon ende nuk ka dëshmuar apo dhënë ndonjë dokument në komision,thanë prokurorët.

Prokurorët argumentuan se zoti Bannon, 68 vjeç, e meritonte dënimin më të gjatë sepse ai kishte ndjekur një "strategji me qëllim të keq" dhe deklaratat e tij publike që shpërfillnin vetë komisionin e bënë të qartë se ai donte të minonte përpjekjet e tyre për të analizuar sulmin e dhunshëm dhe për të siguruar që diçka e tillë të mos ndodhë përsëri./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat