SHBA ngre akuza ndaj dy agjentëve kinezë

Amerika

SHBA ngre akuza ndaj dy agjentëve kinezë

Më: 25 tetor 2022 Në ora: 17:30
Merrick Garland

Zyrtarët e forcave të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza ndaj dy oficerëve kinezë të zbulimit lidhur me përpjekjet e dyshuara për të penguar hetimin penal të Departamentit të Drejtësisë ndaj gjigantit kinez të telekomunikacionit “Huawei Technologies”. Akuzat e ngritura janë pjesë e tre çështjeve të veçanta penale, që përfshijnë 13 shtetas kinezë, mes tyre 10 agjentë e zyrtarë qeveritarë.

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland, drejtori i FBI-së Christopher Wray dhe zyrtarë të tjerë të lartë të zbatimit të ligjit njoftuan të hënën ngritjen e akuzave ndaj 2 shtetasve shtetasve kinezë.

"Në distriktin lindor të Nju Jorkut janë bërë publike akuzat ndaj dy oficerëve të zbulimit të Republikës Popullore e Kinës për përpjekje për të penguar, ndikuar dhe bllokuar hetimin penal të një kompanie telekomunikacioni nga Kina. Në akuzë thuhet se në vitin 2019 , të pandehurit i kërkuan një punonjësi të një agjencie të zbatimit të ligjit të qeverisë amerikane që të vjedhë informacione sekrete në lidhje me hetimin penal nga Shtetet e Bashkuara të kompanisë kineze. Të pandehurit besonin se ata kishin rekrutuar punonjësin amerikan si një agjent të tyre. Por në fakt, individi që ata rekrutuan ishte një agjent i dyfishtë që punonte për FBI-në", tha Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.

Dy agjentët kinezë të zbulimit janë identifikuar në dokumentet e gjykatës si Dong He dhe Zheng Wang. Mendohet se të dy ndodhen në Kinë.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze, Wang Wenbin tha sot se nuk ishte në dijeni të akuzave dhe se në përgjithësi qeveria kineze u kërkon gjithmonë shtetasve të saj të respektojnë ligjet e vendeve ku ata banojnë. Në të kaluarën, drejtuesit e kompanisë Huawei e kanë quajtur hetimin federal ndaj tyre si “persekutim të pastër politik”.

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray bëri të ditur faktin se çdo 12 orë FBI-ja hap një hetim të ri kundërzbulimi lidhur me aktivitetet e Kinës në Shtetet e Bashkuara./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat