Senatori demokrat Menendez përballet me hetime të reja federale

Amerika

Senatori demokrat Menendez përballet me hetime të reja federale

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 18:18
Senatori Bob Menendez

Senatori demokrat Bob Menendez, që arriti të shmangë dënimin për korrupsion pesë vite më parë, njoftohet se është bërë objekt i një hetimi të ri federal.

Michael Soliman, këshilltari i senatorit, e pranoi ekzistencën e hetimit në një deklaratë të mërkurën.

“Senatori Menendez është në dijeni të një hetimi të njoftuar sot më herët, megjithatë ai nuk është në dijeni çështjes që po hetohet”, tha ai. “Si gjithnjë, nëse do të drejtohen pyetje zyrtarisht, senatori do të jetë në gjendje të ofrojë asistencën që kërkohet prej tij dhe zyrës së tij”.

Një organizatë e re lajmesh e quajtur Semafor, njoftoi të mërkurën se prokurorët federalë në Manhatan kanë kontaktuar njerëz të lidhur me Senatorin Menendez gjatë javëve të fundit, thanë dy persona në dijeni të hetimeve.

Ata nuk dhanë detaje se për çfarë është hetimi, apo se për çfarë shkeljeje bëhet fjalë.

Zyra e prokurorit në Manhatan refuzoi të komentojë. Zyra e senatorit iu referua deklaratës së zotit Soliman.

Senatori Menendez u padit në vitin 2015, me akuzën për shpërdorim posti për të ndihmuar një mjek okulist në Florida, i cili i kishte bërë dhurata bujare – përfshirë udhëtime me një aeroplan privat për pushime në Republikën Domenikane dhe në Paris.

Prokurorët thanë se senatori u kishte bërë presion zyrtarëve të qeverisë për të zgjidhur një mosmarrëveshje për pagesat e programit të kujdesit shëndetësor për të moshuarit, Medicare, në një mënyrë të favorshme për mjekun Salomon Melgen. Ata thanë se Senatori Menendez ndihmoi gjithashtu në marrjen e vizave amerikane për të dashurat e mjekut dhe punoi për të mbrojtur një kontratë që kishte zoti Melgen për të ofruar pajisje për kontrollet në porte.

Avokatët e Senatorit Menendez thanë se dhuratat e zotit Melgen ishin tregues të miqësisë së tyre të gjatë, dhe jo ryshfet. Senatori Menendez pagoi për disa nga udhëtimet që bëri në objektin në pronësi të zotit Melgen në Republikën Domenikane.

Juria në procesin gjyqësor nuk arriti të marrë një vendim për akuzat në vitin 2017. Prokurorët nuk pranuan të ringrenë akuza ndaj Senatorit Menendez. Senatori ruajti pafajësinë dhe u rizgjodh në vitin 2018.

Zoti Melgen u dënua për akuzat e mashtrimit të sistemit të kujdesit shëndetësor në Florida, por ish-Presidenti Donald Trump ia shkurtoi dënimin gjatë ditëve të tij të fundit në detyrë. Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë në atë kohë përmendi se Senatori Menendez mbështeti shkurtimin e dënimit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat