Gara në Pensilvani, mund të përcaktojë fatin e axhendës së Bidenit

Amerika

Gara në Pensilvani, mund të përcaktojë fatin e axhendës së Bidenit

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 19:14
Foto ilustrim

Nëse republikanët marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatin në zgjedhjet e 8 nëntorit, axhenda legjislative e Presidentit Joe Biden, do të bllokohet. Një vend kyç për Senatin, gara në shtetin e Pensilvanisë konsiderohet si një nga më të ngushtat dhe më të ndjekurat e vitit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman, raporton nga Pitsburgu.

Kandidati republikan për senator në Pensilvani Mehmet Oz, është portretizuar si një i huaj, nsiur nga fakti se ai ka pak kohë që jeton në këtë shtet. Kundërshtari i tij, demokrati John Fetterman, thotë se banorët e Pensilvanisë duhet ta gjithashtu ta refuzojnë Mehmet Ozinin, edhe për shkak të qasjes së tij të ashpër ndaj abortit.

“Besoj se aborti është kujdes shëndetësor. Besoj se kjo është një zgjedhje që i takon çdo gruaje dhe mjekut të saj”, thotë kandidati demokrat për Senat, John Fetterman.

Zoti Oz ka vënë në pikëpyetje aftësinë e kundërshtarit të tij, i cili po merr vetën nga një goditje në tru. Kandidati republikani akuzon gjithashtu kundërshtarin e tij se është i butë ndaj krimit.

“Këto qëndrime radikale shkojnë përtej, deri te legalizimi i të gjitha drogave, hapja e kufirit për të huajt, rritja e taksave”, thotë kandidati republikan, Mehmet Oz.

Profesori i Universitetit të Pitsburgut, Gerald Dickinson, vlerëson se qëndrimet e kandidatëve për çështjet që debatojnë mund të mos jenë faktori vendimtar se kush do të fitojë.

“Është një garë shumë e ngushtë. Mendoj se personalitetet e këtyre kandidatëve do të përcaktojnë fituesin në zgjedhje”, tha profesori Dickinson.

Karakteri i kandidatëve përgjatë fushatës ka qenë në qendër të sulmeve të ashpra nga reklamat zgjedhore të kundërshtarëve.

“Ai është mjeku që e njihni nga televizioni, që di si ta shesë Amerikën përmes recetave të tij…”, thotë një nga reklamat e kampit demokrat për kandidatin republikan, Dr. Mehmet Oz.

“Si kryebashkiak i Braddockut, John Fetterman iu vu pas një afrikano-amerikani të pafajshëm e të paarmatosur…”, thotë një nga reklamat e kampit republikan për kandidatin demokrat.

John Fetterman, nënguvernator i shtetit, e paraqet veten si kryetar bashkie që përmirësoi ekonominë e dëmtuar të një qyteti industrial.

Mehmet Oz, kirurg dhe figurë e njohur kombëtare për shkak të emisionit të tij televiziv, ka shtetësi të dyfishtë, amerikano-turke. Zoti Oz është edhe i pari mysliman i kandiduar ndonjëherë nga të dyja partitë për Senat.

“Inflacioni, aborti dhe drejtësia penale: Këto janë gjëra për të cilat kanë folur të dyja kampet zgjedhore”, tregon profesori i Universitetit të Pitsburgut, Gerald Dickinson.

Përballja e vetme e kandidatëve ishte debati i 25 tetorit, i transmetuar në mbarë vendin, por pa audiencë në studio.

Zoti Fetterman tha se mjeku i tij kishte dalë në përfundimin se ai ishte në gjendje të shërbente në Senat, pavarësisht nga goditja në tru.

“Mund t’i harroj disa fjalë gjatë debatit, të përziej disa të tjera. Megjithatë do ta marr veten”, thotë zoti Fetterman.

Ai pati disa vështirësi gjatë debatit.

“Unë mbështes shpim-kërkimin e gazit. Jo, nuk e përkrah. E mbështes shpim-kërkimin e gazit”, ishte njëri prej momenteve që zoti Fetterman u ngatërrua gjatë debatit.

Mehmet Oz, i cili i ka minimizuar kritikat se gjatë emisionit të tij televiziv ka shitur barna që mund të kenë qenë të rrezikshme, tha se karriera e tij në mjekësi, do ta ndihmojë në punën e tij në Senat.

“Unë mund të marr vendime të vështira, siç bëj si kirurg kur jam në sallën e operacionit. Do t'i detyroj ata të shkurtojnë buxhetin gjithashtu, do të sigurohem që ne të mos rrisim taksat për një popullsi tashmë të lodhur nga inflacioni i lartë”, tha kandidati republikan gjatë debatit.

Disa banorë që e ndiqnin debatin në Pitsburgh, një qytet i ndarë në mënyrë të barabartë mes republikanëve dhe demokratëve, i thanë Zërit të Amerikës se përballja televizive nuk iu ndryshoi mendjen shumë votuesve, edhe pse Mehmet Oz u vlerësua si më orator përballë zotit Fetterman.

“Mendoj se të dy i qëndruan besnik partisë së tyre. Ndërkohë zoti Fetterman kishte një disavantazh. Ai duhej të lexonte para se të përgjigjej, dhe e bënte të duket sikur nuk ishte i sigurt se çfarë thoshte”, tha banori i Pitsburghut, Richard Covington.

“Ishte më shumë si shfaqje, sigurisht më shumë nga Dr. Oz pasi ai ka përvojë. John Fetterman shihej se kishte probleme. Sinqerisht ishte pak e dhimbshme ta ndiqje debatin”, tha banorja e këtij qyteti, Alma Wisniewski.

Fati i asnjë prej kandidatëve të Pensilvanisë nuk varet nga mbështetja tradicionale ndaj partisë. Zonat historike të klasës punëtore në këtë shtet, që dikur fitoheshin lehtë nga demokratët, tashmë po votojnë në masë për republikanët. Ndërkohë shumë zona në periferi, që dikur njiheshin si bastione republikane, po votojnë për demokratët./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat