Ndërsa afrohen zgjedhjet, Presidenti Biden vë në dukje forcimin e tregut të punësimit

Amerika

Ndërsa afrohen zgjedhjet, Presidenti Biden vë në dukje forcimin e tregut të punësimit

Më: 29 tetor 2022 Në ora: 18:41
Joe Biden

Presidenti Joe Biden e ka bërë programin e tij ekonomik pjesë të fushatës zgjedhore të Partisë Demokrate për zgjedhjet e 8 nëntorit. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, inflacioni i lartë, çmimet e energjisë dhe ankthi për ekonominë të shkaktuara nga pandemia dhe lufta në Ukrainë, e kanë bërë këtë një temë të vështirë përballë republikanëve që i kanë vendosur këto probleme ekonomike në epiqendër të fushatës së tyre.

Më pak se dy javë para votimeve për Kongresin, Presidenti Joe Biden vizitoi punëtorët në shtetin Nju Jork për të dhënë përkufizimin e tij të suksesit në menaxhimin e ekonomisë.

"Gjendemi në një situatë shumë më të mirë. 10 milionë vende pune të krijuara që kur filluam qeverisjen, një rekord krahasuar me çdo administratë tjetër amerikane. Papunësia është në 3.5%, niveli më i ulët në 50 vjet. Kanë aplikuar për të hapur biznese të vogla 5.4 milionë amerikanë, niveli më i lartë në historinë amerikane”, tha Presidenti Biden.

Argumenti i administratës është se megjithë çmimet e larta të karburantit dhe inflacionin në nivel rekord, gjendja e vërtetë e ekonomisë duket tek treguesit si krijimi i vendeve të punës.

Por çfarë mendojnë votuesit?

Zëri i Amerikës bisedoi me disa votues në shtetin Uajoming, një zonë tradicionalisht republikane.

“Kur kishim Donald Trump-in, ekomonia dukej mirë, pensionet ishin mirë. Gjithçka dukej mirë. Që kur ai u largua, tani shikoni se si të gjitha janë goditur dhe kanë filluar të bien shumë”, thotë Randy Mulkey, sipërmarrës.

Përfaqësuesit republikanë mbështesin përgjithësisht këtë argument përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit. Pavarësisht nga posti për të cilin konkurojnë, kandidatët thonë se nëse fitojnë, do ta kundërshtojnë Presidentin Biden me çdo mënyrë të mundshme.

Kushdo qoftë guvernatori ynë i ardhshëm, duhet të jetë në gjendje t’i kundërvihet Joe Biden-it dhe politikave të tij të këqija që po ndikojnë të gjithë vendin tonë”, tha Sarah Sanders, kandidate republikane për guvernatore të Arkansasit.

Statistikat tregojnë se kostoja e jetesës së amerikanëve është rritur gjatë vitit të fundit. Inflacioni në Shtetet e Bashkuara është në 8.1%, nivel më i lartë se mesatarja e vendeve të G-7ës, por megjithatë i ulët krahasuar me mesataren globale.

Por, votuesit thonë se kur bëhet fjalë për ekonominë, votuesit nuk ndikohen thjesht nga shifrat, por nga shqetësimet për gjendjen e tyre.

Kur i pyesim njerëzit se çfarë është më e rëndësishme për ta, ekonomia del të paktën tre herë më e rëndësishme se të gjitha çështjet e tjera”, thotë Chris Jackson, nga kompania e anketimeve “Ipsos”.

Ankthi për ekonominë mund të nxisë dëshirën për ndryshim politik.

Mendoj se kjo na tregon që amerikanët janë të shqetësuar për ekonominë, të shqetësuar për klimën më të gjerë ekonomike, dhe fajësojnë këdo që është në pushtet. Tani është Partia Demokrate. Pra, shanset janë që demokratët do ta kenë më të vështirë në zgjedhjet e mesmandatit”, thotë zoti Jackson.

Amerikanët do të mësojnë se çfarë drejtimi do të marrin gjërat në ditën e votimeve, më 8 nëntor./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat