Zyrtari i lartë përballet me thirrje për hetime

Amerika

Zyrtari i lartë përballet me thirrje për hetime

Më: 5 nëntor 2022 Në ora: 22:02
Luis Almagro

Kreu i Organizatës së Shteteve Amerikane, një organizëm ndërkombëtar ku bëjnë pjesë shtetet të ndryshme të dy kontinenteve amerikane, po përballet me thirrje në rritje, përfshirë nga administrata e Presidentit Biden, për një hetim të pavarur lidhur me akuzat për marrëdhënie intime me një vartëse.

Inspektori i përgjithshëm i grupit me seli në kryeqytetin amerikan, u shpreh përmes një memorandumi këtë javë se është në interesin më të mirë të organizatës që të punësojë një firmë për të hetuar akuzat se Sekretari i Përgjithshëm Luis Almagro mund të ketë shkelur kodin e etikës.

Rekomandimi i inspektorit të përgjithshëm u bazua në një raport nga agjencia e lajmeve Associated Press që zbuloi se zoti Almagro kishte marrëdhënie me një punonjëse me origjinë nga Meksika, e cila sipas faqes elektronike të organizatës mban postin e këshilltares kryesore të sekretarit të përgjithshëm.

Inspektori i përgjithshëm tha se raporti i agjencisë së lajmeve Associated Press pasoi një ankesë të detajuar, nga një sinjalizues anonim, që i ishte dërguar nga vetë zoti Almagro më 3 qershor.

Kodi i etikës, së organizatës për ndërtimin e paqes dhe demokracisë, i ndalon menaxherët të mbikëqyrin ose të marrin pjesë në vendime nga të cilat përfitojnë individët me të cilët ata kanë marrëdhënie romantike.

Propozimi për të punësuar një firmë të jashtme, për të hetuar sjelljen e zotit Almagro është planifikuar të diskutohet të mërkurën në mbledhjen e ardhshme të këshillit të përhershëm të organizatës prej 34 anëtarësh.

Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë kontribuar rreth gjysmën e fondeve prej 100 milionë dollarësh të organizatës këtë vit, tashmë kanë shprehur para takimit mbështetjen për një hetim të jashtëm.

Ne i marrim me shumë seriozitet këto akuza seri”, tha përmes një email-i për agjencinë e lajmeve Associated Press një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, duke shtuar se çdo shkelje etike “duhet të hetohet në mënyrë të drejtë dhe të paanshme nga një agjenci e jashtme hetimore”.

Por të paktën katër vende anëtare - Uruguai shtet nga është zoti Almagro, Antigua dhe Barbuda, Belize dhe Shën Lucia - kanë mbështetur publikisht projekt-rezolutat që ngrenë shqetësime për koston e një hetimi të jashtëm në një kohë kur organizata me 600 punonjës është nën trysninë për të shkurtuar shpenzimet.

Ata krahasojnë shpenzimet me një hetim të kohëve të fundit për akuza të ngjashme ndaj presidentit të Bankës Ndër-Amerikane për Zhvillim, Mauricio Claver-Carone, i cili u akuzua se kishte një marrëdhënie të kahershme me shefen e kabinetit.

Hetimi njëmujor, nga firma ligjore amerikane Davis Polk, përcaktoi se zoti Claver-Carone kishte shkelur rregullat e etikës duke favorizuar ndihmësen, çka i hapi rrugën largimit të presidentit.

Por ndryshe nga zoti Claver-Carone, i cili mohoi se kishte pasur ndonjëherë marrëdhënie intime me ndihmësin e tij, zoti Almagro ka thënë se ai kurrë nuk ka qenë mbikëqyrës i punonjëses në fjalë dhe as ka marrë pjesë në ndonjë vendim që ka lidhje me pagesën e saj, si autorizim për rritje rroge. Ai është zotuar se do të bashkëpunojë plotësisht me çdo hetim nga autoriteti më i lartë mbikëqyrës i organizatës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat