Arizona, vota e latino-amerikanëve mund të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve për Kongresin

Amerika

Arizona, vota e latino-amerikanëve mund të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve për Kongresin

Më: 6 nëntor 2022 Në ora: 16:05
Foto ilustrim

Latino-amerikanët janë grupi i dytë më i madh i votuesve në shtetin e Arizonës. Në zgjedhjet e 8 nëntorit, të rinjtë latino-amerikanë mund të jenë një forcë shtytëse për ndryshime në këtë shtet. Kamerat e Zërit të Amerikës ishin në qytetin Tucson, ku ndodhet dhe universiteti i Arizonës, për të marrë mendimin e disa votuesve dhe pritshmëritë që kanë ata në lidhje me zgjedhjet për Kongresin.

Disa studentë besojnë se pesha e votës së komunitetit latino-amerikan në Arizona do të jetë vendimtare e me ndikim në zgjedhjet për Kongresin.

Nëse më shumë latino-amerikanë nxiten të votojnë, sigurisht që do të kemi ndikim”, thotë për Zërin e Amerikës Abigail Chavez, e cila voton për herë të parë.

Studenti Jesus Hinojosa po ashtu voton për herë të parë.

"Shumë nga pjesëtaret e familjes sime nuk votojnë dhe nuk duan të votojnë. Por unë besoj se mund të ketë ndryshim nëse votojnë latino-amerikanët”.

Shoqata Kombëtare e Zyrtarëve të Zgjedhur latino-amerikanë vlerëson se në Arizona më shumë se 664,000 anëtarë të këtij komuniteti do të votojnë në zgjedhjet e 8 nëntorit, duke shënuar një pikë kthese në pjesëmarrjen e këtij grupi në zgjedhje.

Sipas regjistrit zyrtar të popullsisë, mosha mesatare e latino-amerikanëve në Arizona është 27 vjeç, çka nënvizon fuqinë politike.

“Duhet të jetë shumë e rëndësishme që kandidatët dhe partitë politike t'u kushtojnë vëmendje shqetësimeve kryesore të latino-amerikanëve, veçanërisht të rinjve”.

Carolina Rodriguez-Greer është drejtoreshë e organizatës jofitimprurëse “Mi Familia Vota” “Familja ime voton”, për Arizonën. Gjatë fushatës së këtij viti organizata ka regjistruar 35 mijë votues të rinj.

Por cilat janë çështjet që po i nxisin të rinjtë të votojnë?

Meqenëse familja ime është nga Meksika, problemet me të cilat përballen individët pa dokumente dhe ndihma ndaj tyre”, thotë për Zërin e Amerikës studentja Abigail Chavez.

“Për mua është ekonomia, sepse gjithçka është shtrenjtuar shumë”, thotë studenti Jesus Hinojosa.

Ines Reyes voton për herë të parë.

E drejta që ka çdo njeri për të jetuar dhe çështja e abortit”.

Inflacioni, dhuna me armë dhe punësimi janë përparësitë kryesore mes votuesve latino-amerikanë në Arizona, sipas një sondazhi të fundit nga organizata UnidosUS.

Ata janë të interesuar për problemet dhe duan të dinë se si politikanët do të ndihmojnë në përmirësimin e jetës së tyre. Ku dhe kur të votojnë për t'u siguruar që zëri i tyre të dëgjohet në këto zgjedhje”, thotë drejtuesja e organizatës “Mi Familia Vota” për Arizonën.

Latino-amerikanët janë grupi i dytë më i madh i votuesve në Arizona, dhe në përgjithësi, popullsia me rritjen më të shpejtë mes elektoratit amerikan./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat